Kroaci, Nëntor 2026 – Në kuadër të mobilitetit dhe qëndrimit studimor përmes programit ndërkombëtar Erasmus+, dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Aleksandar Petkovski, realizoi një vizitë akademike në Fakultetin Juridik të Universitetit “Josip Juraj Strossmayer” në qytetin e Osijekut, në Republikën e Kroacisë.
Gjatë këtij qëndrimi, Prof. Petkovski mbajti një ligjëratë para studentëve dhe stafit akademik të institucionit mikpritës me temë: “Sfidat e procedurës administrative në një shoqëri dygjuhëshe”.
Në ligjëratën e tij, profesori trajtoi dimensionet juridike, praktike dhe institucionale të zbatimit të dygjuhësisë në procedurat administrative, duke u ndalur në garancitë kushtetuese e ligjore për barazinë e qytetarëve para organeve shtetërore, si dhe në sfidat me të cilat përballet administrata publike gjatë sigurimit të shërbimeve efikase dhe të qasshme në mjedise shumëgjuhëshe. Ligjërata ngjalli interes të veçantë te studentët e drejtësisë në Osijek, duke hapur një diskutim konstruktiv mbi përvojat krahasuese dhe standardet evropiane në këtë fushë.

By