Shkup, Nëntor 2026 – Në kuadër të aktiviteteve akademike kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëpunim me Fondacionin AXIS dhe Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, organizoi konferencën shkencore me temë “Pavarësia e Shqipërisë dhe proceset euro-integruese tek shqiptarët”. 

Ky forum shkencor mblodhi studiues, profesorë universitarë, intelektualë dhe studentë nga vendi dhe rajoni, me synim analizimin e dimensioneve historike, juridike, politike, mediatike dhe sociale të rrugëtimit shtetformues të shqiptarëve dhe integrimit të tyre në strukturat evropiane. 

Punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve institucionalë dhe akademikë. Në emër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe rektorit, fjalë përshëndetëse mbajti prorektori Prof. Dr. Fati Iseni, i cili rikonfirmoi përkushtimin e universitetit ndaj dialogut shkencor, kultivimit të vlerave historike dhe promovimit të perspektivës evropiane përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional.

Në emër të Qeverisë së RMV-së, të pranishmëve iu drejtua Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, i cili theksoi se 28 Nëntori mbetet moment kyç historik dhe orientim drejt së ardhmes evropiane: 

“Pavarësia e Shqipërisë është një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, por edhe një kujtesë se rruga e shqiptarëve nuk përfundon me historinë, ajo vazhdon me sfidat dhe përgjegjësitë e së ardhmes. Sot, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe kudo në rajon, duhet ta shohin integrimin evropian si një synim të përbashkët. Barazia, bashkëpunimi dhe perspektiva evropiane janë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët.”

Fjalën e tij të mirëseardhjes e përcolli edhe kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Sherifi, duke theksuar rëndësinë e nismave të përbashkëta akademike dhe shoqërore që synojnë thellimin e reflektimit mbi trashëgiminë historike të 28 Nëntorit dhe sfidat bashkëkohore të integrimit.

Të pranishmërve iu drejtua me fjalë përshëndetëse edhe kryetari i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), Dr. Kujtim Kasami, duke vënë në pah rolin e hulumtimit shkencor, bashkëpunimit institucional dhe botimeve akademike në ndriçimin e çështjeve me peshë historike, juridike, shoqërore dhe euro-integruese.

Nga ana e moderuesit të konferencës z. Fisnik Shabani, u vu në pah rëndësia e kësaj ngjarjeje si kontribut i drejtpërdrejtë në pasurimin e literaturës shkencore dhe studimeve mbi pozitën e shqiptarëve në rajon: “Duke parë historinë dhe të tashmen e popullit shqiptar, dhe për të dhënë një kontribut shkencor modest në historikun e shënimit të 28 nëntorit, Fondacioni Axis në bashkëpunim me QMBI dhe UNT-në organizojnë këtë konferencë shkencore me qëllim që të kemi edhe disa qasje dhe punime shkencore unike që do të mbushin edhe më shumë literaturën historike të shtetit shqiptar…” 

Gjatë sesionit plenar shkencor u prezantuan dhjetë kumtesa akademike që trajtuan tema kyçe mbi Rilindjen Kombëtare, aktin e shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, sfidat demografike dhe zhvillimore, rolin e mërgatës dhe perspektivën e integrimit evropian të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. 

Në përmbyllje të konferencës, Dr. Kujtim Kasami paraqiti rezymenë e punimeve shkencore, pasuar nga ndarja e mirënjohjeve për studiuesit pjesëmarrës. Kontributet e prezantuara në këtë konferencë, pas procesit të recensimit akademik, do të botohen në një numër të veçantë të revistës shkencore ndërkombëtare CENTRUM.

By