Shkup, 02.09.2026 – Sot, në ambientet e Komunës së Çairit, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit dypalësh, duke bashkuar dijen akademike dhe përgjegjësinë institucionale në shërbim të shëndetit dhe zhvillimit të drejtë të fëmijëve.
Në këtë akt solemn të nënshkrimit, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji ishte i shoqëruar nga prorektori Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, sekretari i Përgjithshëm Dr. Rahim Jashari, Dr. Sedat Baftiu, Mr. Ariton Rama, si dhe kryetari i Kuvendit Studentor Universitar, Besar Sejdiu.
Bashkëpunimi ndërmjet UNT-së dhe Komunës së Çairit jetësohet në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit” dhe synon organizimin e vlerësimeve profesionale, si dhe mbajtjen e ligjëratave edukative për parandalimin e deformiteteve të mundshme të shtyllës kurrizore te fëmijët e shkollave fillore. Me fillimin e vitit të ri shkollor, profesorë dhe ekspertë të UNT-së do të zhvillojnë aktivitete praktike e udhëzuese mbi qëndrimin e drejtë gjatë uljes në bankat shkollore, mbajtjen e përshtatshme të çantës dhe rëndësinë e aktivitetit të rregullt fizik.
Iniciativa pozicionohet si një partneritet afatgjatë që vendos theksin te parandalimi, edukimi shëndetësor dhe kujdesi i hershëm, përpara se të shfaqen çregullime fizike te fëmijët gjatë periudhës së rritjes.
Përfshirja e kuadrit akademik të UNT-së i jep këtij projekti kredibilitet të lartë profesional e institucional, duke u mundësuar prindërve dhe arsimtarëve marrjen e këshillave të specializuara në kohë.
Gjatë nënshkrimit u theksua se investimi më i mirë në shëndet është ai që bëhet me kohë, ndërsa Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet i përkushtuar në vendosjen e kapaciteteve të veta shkencore e njerëzore në shërbim të drejtpërdrejtë të komunitetit dhe gjeneratave të reja.
