Shkup, 19.10.2020 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot në një ceremoni solemne i ndau titullin ‘Doctor Honoris Causa’ Akademikut Ali Aliu. Komisioni recenzues në përbërje akademik Luan Starova, kryetar, prof. dr. Sunaj Raimi, anëtar dhe prof. dr. Mustafa Ibrahimi – anëtar, në bazë të mendimit pozitiv të Drejtorisë Rektoriale të Universitetit i ndau titullin ‘Doctor Honoris Causa’ akademik Ali Aliut me motivacionin: ,,Për kontribut të shquar në zhvillimin e kulturës, arsimit dhe kërkimit shkencor, si studiues i shquar i shkencave albanologjike; historian i letërsisë dhe në veçanti i kritikës letrare shqiptare; si zë origjinal dhe kritik i problemeve të mëdha të kohës, të bazuara në kritikën e së vërtetës, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar”.
Akademik Luan Starova, në fjalën e tij tha se biografia e akademik Aliut është shumë e pasur dhe me shumë sfida gjatë gjithë karierës së tij, gjithmonë pjesë e proceseve kombëtare dhe shpesh duke pësuar nga organet e rendit të ish-Jugosllavisë, dhe disa herë edhe i larguar nga puna.
Rektori i UNT-së, prof.dr. Azis Pollozhani gjatë ndarjes së titullit tha se Universiteti“Nënë Tereza” në Shkup përveç se nderon akademik Ali Aliu me këtë titull, nderon edhe veten sepse me këtë akt, akademik Aliu është pjesë e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe në kryeqytet.
Ceremonia e ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit “Nënë Tereza” Akademikut Ali Aliu, u zhvillua duke respektuar masat mbrojtëse nga virusi Covid19, në mjedis të hapur në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Shkup, me pjesëmarrje të kufizuar të pranishmëve.
Titulli Doctor Honoris Causa, të cilin Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ia ndau Akademikut Ali Aliu, është titulli i dytë me radhë që nga themelimi i UNT-së në vitin 2015-të. Titulli i parë iu nda nobelistit amerikan me prejardhje shqiptare Ferid Murad.
akademik Luan Starova fjalim Pollozhani fjalim 19.10.2020

By