Shkup, 05.05.2021 Fakulteti i Shkencave Teknologjike, drejtimi ‘Tekstil, dizajn dhe modelim’ sot mbajti ekspozitën e parë të modës, me titull ‘Put the mask on!’.
Në prani të rektorit të UNT-së, Prof.Dr. Aziz Pollozhani, profesorëve të këtij drejtimi, studentëve nga tre vitet, në ekspozitë u prezantuan punimet më të mira nga studentët të këtij drejtimi, që kishin tema të ndryshme.
Rektori Pollozhani në fjalën hyrëse përgëzoi studentët dhe pedagogët për punën e tyre, duke shtuar se ekspozita të këtilla janë më të nevojshme dhe të mirëseardhura se kurrë, pas kufizimeve që artit i shkaktoi pandemia.
Ekspozita ‘Put the mask on!’u zhvillua në Galerinë nacionale “Çifte Amam” në Çarshinë e Vjetër në Shkup, nga ora 12.00 deri në orën 18.00, dhe me prezencën e saj nderoi drejtoresha Dita Starova Qerimi.
Në ekspozitë u prezantuan punimet më të mira nga studentët e vitit të parë, vitit të dytë dhe vitit të tretë të drejtimit Tekstil, Dizajn dhe Modelim, ndërsa hyrja u realizua në grupe të vogla, në përputhshmëri me masat anti-Covid-19.
Mysafir të ekspozitës ishin maturantë të shkollës së mesme të tekstilit nga Tetova.