Shkup, Mars 2023 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ishte nikoqir i dy profesorëve bullgar, Prof.dr. Galia Marinova nga Universiteti Teknik i Sofjes dhe Prof.dr. Vasil Guliashki nga Instituti i Teknologjive Informatike dhe të Komunikimit në kuadër të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë. Mysafirët u mirëpritën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike Prof.dr. Neritan Turkeshi dhe nga profesoreshat Bukurie Imeri Jusufi dhe Edona Vinca, ndërsa u zhillua prezantim në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen në rrjetin CEEPUS që mban emrin Modelimi, Simulimi dhe Projektimi Kompjuterik në Inxhinieri dhe Menaxhim (Modelling, Simulation and Computer-aided Design in Engineering and Management).

Prof. Dr. Galia Marinova prezantoi rrjetin duke dhënë pasqyrë të përgjithshme të aktiviteteve të deritanishme, për të vijuar me prezantim të aktiviteteve akademike dhe hulumtuese të Fakultetit të Telekomunikimeve në Universitetin Teknik në Sofje. Theks i veçantë u vendos në elementin ndërkombëtar të aktiviteteve mësimore-shkencore, duke vërtëtuar mundësitë për bashkëpunim me universitetet nga rajoni, siç është edhe Universiteti ynë.

Prof. Dr. Vasil Guliashki prezantoi Institutin e Teknologjive Informatike dhe të Komunikimit në Akademinë e Shkencave duke i kushtuar vëmendje të veçantë internacionalizimit dhe aktiviteteve që ndërmerr ky institucion për bashkëpunim ndërkombëtar me institucione të ngjashme në rajon dhe më gjerë.

Gjatë këtij takimi studentët dhe stafi akademik ranë dakord që duhet thelluar bashkëpunimi brenda këtij rrjeti që ofron mundësi për këmbime përvojash dhe vizita studimore, siç janë këmbimet studentore apo shkollat verore brenda rrjetit.

By