Shkup, 18.10.2023 – Në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup në një numër të lartë të pjesëmarrësve ajo e stafit akademik, mysafirëve dhe studentëve u realizua me sukses promovimi i librit “Ekonomiksi 19e”, të nobelistëve, autorëve Paul A. Samuelson dhe William D. Nordhaus të përkthyer dhe përshtatur nga Prof.dr. Avdullah Hoti.

Nikoqiri i eventit, rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri i uroi mirëseardhje në kampusin e ri universitar si dhe përshëndeti Prof.dr. Avdullah Hoti për këtë përkushtim tejet domethënës të përkthimit dhe përshtatjes së librit të titulluar “Ekonomiksi 19e” në gjuhën shqipe të autorëve të mirënjohur në botë Paul A. Samuelson dhe William D. Nordhaus, si dhe shprehi mirënjohje të veçantë për këtë angazhim tejet përkushtimor si një botim udhërëfyes në këto kohë krizash.

Prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim Doc.dr. Bujamin Bela njëheri moderues i këtij promovimi të librit kaq domethënës për UNT-në dhe jo vetëm si dhe në cilësinë e panelistit, mes tjerash tha se ‘ky libër është një prezantimi mjaftë i kompletuar nga aspekti i teorisë dhe praktikës ekonomike. Është libër që përdoret nga studentët, profesionistët dhe hulumtuesit e rinjë në studimet (post)universitare. Është një kontribut i jashtëzakonshëm për gjeneratat e reja të ekonomistëve, por edhe për ata që dëshirojnë të aktualizojnë dijet e tyre ekonomike. Lexuesi gjen mendimin më të mirë ekonomik për atë se si funksionon tregu, çfarë është ndërlidhja e individit, familjes dhe ndërmarrjes me tregun dhe se çfarë duhet të bëjnë vendet për të përmirësuar standardin jetësorë të qytetarëve të tyre.’ – potencoi prorektori Bela.

Dekaneja e Fakultetit Ekonomik pranë UNT-së Prof.dr. Bukurije Imeri Jusufi, para të pranishmëve e cilësoi një kontribut të jashtëzakonshëm përkthimin dhe përshtatjen e botimit të këtij libri në gjuhën shqipe ku mes tjerash tha se ‘Përkthimi i kësaj vepre nga profesori i makroekonomisë, Avdullah Hoti, Është një kontribut i jashtëzakonshëm për gjeneratat e reja të ekonomistëve, por edhe për ata që dëshirojnë të aktualizojnë dijet e tyre ekonomike. Kjo vepër e përkthyer në gjuhën shqipe është në shërbim të të gjitha universiteteve në trojet shqiptare ku studiohet ekonomia dhe shkencat që ndërlidhen me ekonominë, për bizneset, për shqiptarët në diasporë dhe institucionet shtetërore për të kuptuar logjikën dhe funksionimin e ekonomisë.’ – potencoi dekaneja Imeri Jusufi

Autori i librit Prof.dr. Avdullah Hoti shprehi mirënjohje për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe menaxhmentin e punës për organizimin dinjitoz si dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për vlerësimin e ndarjes së kohës në këtë promovim librit. Profesor Hoti mes tjerash tha se ‘më shumë se gjysmë shekulli, ky libër ka shërbyer si përcaktues i standardeve për mësimin e ekonomiksit në Amerikë dhe në mbarë botën. Rrjedhimisht, është ndër librat e rrallë që është përtrirë vazhdimisht, ka ecur me kohën dhe i ka paraprirë zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore. Më vjen mirë që tani është në dispozicion për studentët tanë, kudo ku studiohet në gjuhën shqipe. Nga botimi i parë e deri tek ky botim i 19, shihet qartë si ka evoluar shkenca e ekonomiksit, në përgjigje dhe paraprijëse e zhvillimeve ekonomike globale.’- potencoi Prof.dr. Avdullah Hoti

Prof.dr. Avdullah Hoti mes tjerash diskutoi edhe për çështjet e arsimit të lartë shqiptar në Ballkan, ku tha se ne ‘duhet të lëvizim drejt krijimit të “Hapësirës shqiptare të arsimit të lartë”, si një zonë ku promovohet shkenca dhe hulumtimet, të cilat janë konkurrente në rajon dhe Evropë. Sipas disa statistikave të përgjithshme, sot “Hapësira shqiptare e arsimit të lartë” përbëhet nga rreth 250 mijë studentë, me mbi 100 institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të veriut. Në fushën e ekonomisë, në të gjitha drejtimet, studiojnë rreth 40 mijë studentë, që është një numër shumë i madh dhe që, si e unifikuar, premton shumë për të avancuar cilësinë në arsimin e lartë në linjë me trendët evropianë.’ – tha Prof.dr. Avdullah Hoti

Libri “Ekonomiksi 19e” është botuar nga Shtëpia Botuese “Educational Centre Kosova” si dhe është aktual, relevant dhe vazhdon të jetë përcaktues i standardit, si një hyrje në parimet e ekonomiksit modern.

By