Shkup, 18.10.2023 – Nën vazhdën e aktiviteteve kurrikulare të planifikuara për këtë vit akademik, Fakulteti i Shkencave Sociale pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup nën moton “Të rinjtë lexojnë” organizon ngjarje të ndryshme lidhur me leximin dhe promovimin e librave dhe revistave nga botues në RMV e më gjerë.Ditën e sotme në hapësirat e UNT-së u promovua revista “Ekuilibër” me botues z. Leutrim Asllani nga Presheva.
Aktiviteti u udhëhoq nga profesoresha Elisabeta Bajrami Ollogu, prodekane e FSHS-së dhe fjalë përshëndetëse në emër të Fakultetit mbajti Dekania e FSHS-së profesoresha Diturije Ismaili.
Në fjalën e saj, ajo bëri një prezantim të shkurtër mbi rëndësinë e aktiviteteve të planifikuara nga fakulteti për këtë vit akademik si dhe theksoi rëndësinë e tyre për studentët dhe stafin akademik.
Ndërkaq, botuesi i revistës “Ekuilibër”, z. Asllani foli mbi themelimin dhe botimin e saj si dhe ndau disa pjesë nga shkrimet e autorëve të cilët kanë kontribuar në numrin më të fundit dhe janë nga mbarë trojet shqiptare. Z. Asllani prej vitesh udhëheq edhe forumin rinor “Rahovica” në Preshevë dhe j’u foli studentëve mbi rëndësinë e vullnetarizmit dhe kontibutin e jashtëzakonshëm që organizata e tij e jep në komunën e Preshevës.
Në fund, Dekania e FSHS-së dhe i ftuari ndanë reciprokish çertifikata mirënjohjeje të të dy institucioneve.