Shkup, 27.10.2023 – Ditën e sotme në hapësirat e universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Fakulteti i Shkencave Sociale organizoi panel diskutimi me temë “”Aspekte mjekësore dhe social-psikologjike rreth kancerit të gjirit”.” në kuadër të muajit “Tetori rozë”.
Ky muaj njihet globalisht si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. Fjalë hapëse mbajti Dekania e Fakultetit të Shkencave Sociale, profesoresha Diturije Ismaili, e cila theksoi se aktivitete të tilla janë thelbësore për rritjen e vetëdijes, veçanërisht në grupmoshat e reja por pa përjashtuar edhe gjithë grupmoshat tjera. Ajo gjithashtu ndau me studentët disa mesazhe të rëndësishme mbi rëndësinë e rritjes së vetëdijes ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit.
Aktiviteti u udhëhoq nga prodekania e FSHS-së, profesoresha Elisabeta Bajrami Ollogu e cila foli edhe mbi iniciativat e Fakultetit për tu kthyer në një forum diskutimesh të vazhdueshme ku fjala do ti takojë gjithmonë ekspertëve që do të ftohen në secilin prej aktiviteteve të planfikuara për këtë vit akademik.Në panel foli mjeku onkolog, Dr. Ilir Ismaili, Specialist i onkologjisë dhe radioterapisë, i punësuar në qendrën klinike të Onkologjisë dhe Radioterapisë ne Shkup, repartin e trajtimit te Karcinomit te gjirit.
Doktor Ismaili ndau me të pranishmit statistika mbi numrin e grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit në RMV si dhe foli gjerësisht mbi faktorët ndikues, mënyrat e hershme të parandalimit, diagnostikimi dhe deri tek format e trajtimit mjekësor. Ai vendosi theksin veçanërisht tek parandalimi si mënyra më e mirë për ta ulur rrezikun e prekjes nga sëmundja. Në shenjë mirënjohjeje, doktorit ju dhurua dhe një mirënjohje në emër të UNT-së.
Profesoresha Nita Beluli foli mbi rëndësinë e trajtimit psikologjik dhe nevojën për mbështetjen psikologjike të pacientëve si dhe familjeve të tyre, krahas rëndësisë së padiskutueshme të trajtimit mjekësor, duke qenë se të prekurit nga sëmundja përballen me vështirësi të mëdha emocionale që nga momenti i diagnostikimit dhe përgjatë trajtimit.
Profesoresha Arta Xhelili nga fusha e komunikimit, në fjalën e saj u ndal në dy aspekte: në nevojën për një komunikim profesional, etik dhe transparent me pacientët nga ana e mjekëve si dhe gjithashtu foli mbi rëndësinë e përdorimit të mediave si mjete për zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese mbi kancerin e gjirit.