Shkup, 28.11.2023 – Me një ceremoni solemne Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit me një ceremoni ku ndau diplomat e 130 të diplomuarve nga viti i kaluar.
Para studentëve dhe familjarëve, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri tha se organizimi i kësaj ceremonie sot për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, na jep të gjithë neve një ndjenjë suksesi, për profesorët që ia dolëm të ju bartim juve diturinë, dhe një kënaqësi për ju, që sot arritët të merrni diplomat aq shumë të merituara.
‘Pjesëmarrja e prindërve dhe e familjarëve tuaj në këtë numër aq të madh, dëshmon se edhe ata kanë arritur sukses në shkollimin tuaj, sepse askush nuk ju mendon të mirën më shumë se prindërit, që sakrifikojnë gjithçka për ju, dhe të ardhmen tuaj të ndritur, dhe nga këtu dhe nga këtu keni obligim për të vazhduar me nder dhe dinjitet jetën që keni përpara pa marrë parasysh se a do të përcaktoheni për vazhdimin e studimeve në ciklin e dytë, apo do të punësoheni’ porositi rektori Zeqiri studentët, në fjalimin para të pranishmëve.
Rektori Zeqiri tha se si menaxhment janë duke punuar shumë në përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve dhe rregullimin e infrastrukturës dhe këtë do ta bëjmë vazhdimisht.‘
Ju të dashur studentë, u rritët bashkë me universitetin tonë, jeni dëshmitarë se sa gjëra kanë ndodhur në ndërkohë. Kur nisët studimet ishim qiraxhinj, ndërsa sot kur po merrni diplomat, ceremonia po zhvillohet në objektet tona, në tokën prej 50 mijë metra katrorë, dhe disa mijëra metra objekte për mësim. Pra, kishim vështirësi, por ishim të sigurtë që do t‘ia dalim. Dhe ia dolëm. Urime të gjithëve’, tha Zeqiri.
Kryetarja e Senatit të UNT-së, Prof.dr. Suzana Jordanovska uroi studentët për suksesin e arritur dhe momentet e kaluara nëpër fakultetet e UNT-së, si dhe pajisjen me dituri të reja që do tu shërbëjnë gjithë jetën.
Studentët morrën diplomat nga dekanët e tyre, ndërsa pesë diplomat e para i ndau rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri.