Manastir, Prill 2024 – Në mungesë të një shkolle të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Manastir, promovimi i programeve studimore të UNT-së u zhvillua në Muzeun e Alfabetit të Manastirit si dhe pjesërisht në shkollën fillore të fshatit Mexhitli të Manastirit.

Në këto tubime, përveç maturantëve kishin ardhur edhe prindërit e tyre, mësues dhe qytetarë. Për programet e tetë fakulteteve të UNT-së foli prof.dr. Mustafa Ibrahimi, i cili të pranishmit i informoi në detaje me të gjitha programet studimore dhe kushtet tjera të regjistrimit. Duke i ditur brengat dhe problemet e kësaj ane, prof.Ibrahimi potencoi se studimet në Shkup, saktësisht në UNT, në një farë mënyre mund të ndihmojnë në ndalimin e shpërnguljeve, dukuri që është vazhdimisht e pranishme, por që kohëve të fundit ka marr hov më të madh, në këtë anë. UNT-ja ofron programe të shkëlqyeshme studimore që mund t’u ndihmojë të sapodiplomuarve për punësime të shpejta në shumë profesione. Studimet në këtë universitet ofrojnë kushte edhe për ngritje akademike dhe intelektuale të çdo studenti që do të vijë të studiojë në Shkup, theksoi në fund prof.Ibrahimi.

Të pranishmëve ju ndanë fletushka me informata më të detajuara për fakultetet dhe programet studimore që funksionojnë në kuadër të UNT-së. Të pranishmit parashtruan disa pyetje që kanë të bëjnë me kushtet dhe çështje tjera që lidhen me regjistrimin, studimet dhe punësimet.

By