Shkup, 04.11.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi me sukses Kongresin e II-të, brenda të cilit po zhvillohet Konferenca e 8-të Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm “TSD 2024”.

Kjo ngjarje e rëndësishme akademike dhe shkencore ka mbledhur studiues, ekspertë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme me qëllim të ndarjes së njohurive dhe përvojave për të përmirësuar dhe promovuar praktikat e zhvillimit të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë.

Hapjen e konferencës e bëri Prorektori për Shkencë dhe Hulumtime në UNT, njëkohësisht edhe kryesues i përgjithshëm i organizimit të Kongresit dhe Konferencës TSD 2024, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili prezantoi zhvillimin dhe rëndësinë e Kongresit. Pjesë të fjalimit kishin edhe rektori i UNT-së Prof. dr. Izet Zeqiri, Ambasadori Austriak, Sh.T. Z Martin Pammer, këshilltari i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Z. Johannes Heidecker, recensenti ndërkombëtar për Akreditimin e Programeve të Studimit, Prof.Dr. Andrew Goodspeed, drejtuesi i Institutit të Teknologjisë Rochester RIT Global nga Programi CIT, Prof.Dr. Debabrata Samantha si dhe drejtues (CEO) i Head Man & Mountain Inc, nga Austria, z. Hannes Jäckl para një numër të lartë përfaqësues institucionesh, hulumtues shkencor nga vendi dhe jashtë.

Rektori Zeqiri në Kongresin e II-të dhe Konferencën e 8-të Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm “TSD 2024” theksoi mbështetjen dhe angazhimin e universitetit në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili mes tjerash tha se: “Konferenca TSD 2024 shërben si një urë që lidh njohuritë akademike me praktikat reale dhe ndihmon në ndarjen e përvojave dhe ideve që mund të frymëzojnë ndryshim. Jam i bindur se sesionet tona do të jenë burim diskutimesh të frytshme dhe ide të reja që do të kontribuojnë në përmirësimin e strategjive tona për qëndrueshmëri.” – tha rektori UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri

Kongresi i II-të dhe Konferenca “TSD 2024” e 8-ta me rradhë ka për qëllim kryesor të kontribuojë në avancimin e qëndrueshmërisë në shoqëri përmes ndarjes së njohurive, ideve dhe praktikave të mira. Për më tepër, synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat globale që prekin mjedisin, ekonominë dhe aspektet sociale të zhvillimit.

Në këtë edicion, Konferenca e 8-të “TSD 2024” përfshin pjesëmarrës nga mbi 20 vende të ndryshme, duke përfshirë universitete prestigjioze nga Evropa, Azia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë. Ky diversitet kontribuon në një diskutim të pasur me perspektiva të ndryshme dhe praktika ndërkombëtare, duke forcuar bashkëpunimin global dhe shkëmbimin akademik.

By