Shkup, 05.11.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup përmbylli me sukses Konferencën e 8-të Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm, “TSD 2024”, një ngjarje prestigjioze e cila mblodhi studiues, ekspertë, dhe profesionistë nga vende të ndryshme për të diskutuar dhe ndarë njohuri mbi sfidat globale dhe mundësitë për të arritur qëndrueshmëri në fusha të ndryshme të jetës.
Gjatë ditëve 04 dhe 05.11.2024 të zhvillimit të konferencës, u mbajtën sesione plenare dhe diskutime të thelluara mbi tema kyçe që përfshijnë:
ASPEKTET TEKNIKE DHE EKONOMIKE TË QËNDRUESHMËRISË, SFIDA TË ENERGJISË DHE KLIMËS
HORIZONTE TË REJA NË INXHINIERI CIVILE DHE ARKITEKTURË
TEKNOLOGJI INFORMATIVE, MATEMATIKË, SIGURI KIBERNETIKE DHE SFIDA TË INTELIGJENCËS ARTIFICIALE
SHKENCAT TEKNOLOGJIKE, NATYRORE DHE ARTI NË MIJËVJEÇARIN E RI DHE ARSIMI
SHKENCAT SOCIALE NË MIJËVJEÇARIN E RI DHE TEMA TË NDRYSHME
EKONOMIA DHE PRIRJET MODERNE
E DREJTA, EUROINTEGRIMI DHE POLITIKA
Kjo ngjarje është kthyer tashmë në një platformë të rëndësishme për komunitetin akademik dhe profesional, ku përvoja dhe ide të reja lidhen me sfida praktike për zgjidhje konkrete në favor të zhvillimit të qëndrueshëm.
UNT si nikoqir i organizimit të TSD 2024 shprehë mirënjohjen për të gjithë kontribuesit dhe pjesëmarrësit që bënë të mundur realizimin me sukses të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Me përfundimin e këtij edicioni, UNT rithekson angazhimin e tij për të promovuar qëndrueshmërinë dhe për të vazhduar të jetë një qendër e rëndësishme për hulumtim, inovacion dhe edukim të avancuar.
Konkluzionet e dala nga kjo konferencë pritet të shërbejnë si udhëzime për krijimin e strategjive të reja si dhe punimet të cilat u prezantuan nga pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm TSD 2024 do të botohen në revistën për zhvillimit të qëndrueshëm të Evropës Juglindore ‘SEEJSD’ të cilën e boton UNT.