Shkup, 28 Nëntor 2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëpunim me Fondacionin për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS dhe Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), realizuan konferencën mbarëkombëtare shkencore me temën:“Pavarësia e Shqipërisë dhe Shqiptarët 112 Vjet Pas.”


Konferenca, që u mbajt në ambientet e UNT-së, mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike, organizatave joqeveritare, studentë, si dhe staf akademik dhe administrativ.


Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri, në fjalën hapëse përgëzoi të pranishmit me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Ai shprehu falënderime për bashkëpunëtorët dhe panelistët, duke theksuar përkushtimin e UNT-së për rritjen e cilësisë shkencore dhe promovimin e vetëdijes kombëtare.


Me fjalë rasti konferencën e nderoi edhe kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Sherifi, i cili falënderoi për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e kësaj konference për fuqizimin e ndërgjegjes kombëtare.


Konferenca u zhvillua në dy sesione dhe u moderua nga z. Fisnik Shabani. Në sesionin e parë me punimet tyre ishin, Dr. Ardian Muhaj me temë: “Pavarësia e shtetit shqiptar dhe roli i shqiptarëve në kontekstin rajonal pas shkëputjes nga Perandoria Osmane”, Dr. Sylë Ukshini me temë: “Qëndrimi i diplomacisë gjermane ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës”, Dr. Muhamed Jashari me temë:  “Pavarësia e Shqipërisë – një lindje nga kaosi”, Prof.dr. Izet Zeqiri me temë: “Pavarësia e Shqipërisë dhe ekonomia e shqiptarëve 112 vjet pas: Analizë krahasuese e situatës ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni” si dhe Dr. Fehari Ramadani së bashku me Dr. Hiriet Ziberi me temë: “Politika ballkanike e Austro-Hungarisë dhe pavarësia shqiptare”.


Gjatë sesionit të dytë punimet e tyre prezantuan: Mr. Behar Kaçelime temë: “Organizimi i jetës fetare te shqiptarët pas shkëputjes nga Kalifati Osman”, Prof.Inor.dr. Fati Iseni me temë: “Lëvizja xhonturke dhe shqiptarët”,  Dr. Sevdail Demiri me temë: “Shqiptarët e Shkupit dhe Kumanovës në luftën për bashkim dhe flamur kombëtar”, si dhe Dr. Kujtim Kasami me temë: “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë – akt me rëndësi historike”.


Kjo konferencë jo vetëm që nderoi historinë e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe kontribuoi në fuqizimin e lidhjeve akademike dhe shkencore mbarëkombëtare. UNT riafirmoi angazhimin e tij për të promovuar vlerat kombëtare dhe shkencore në nivel ndërkombëtar.

By