Veles, Prill 2025 – Universiteti “Nënë Terezë” në Shkup para maturantëve të shkollës së mesme “Koço Racin” në Veles, për të pestën herë promovoi ofertën më të re për vitin akademik 2025/2026.

Për kushtet dhe programet e shumta studimore në tetë fakultetet, folën Prof.dr. Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane si dhe Suat Usejni demonstrator në UNT si dhe profesor në gjimnazin e Velesit. Paraprakisht dekani pati takim me drejtorin dhe pedagogun e shkollës së mesme ku u pritën ngrohtësisht.

Dekani Ibrahimi, përveç elaborimit të programeve studimore, nxënësit i motivoi që të regjistrohen në cilin do fakultet që do ta përzgjedhin, sepse nuk do të gabojnë dhe do ta sigurojnë ardhmërinë e tyre. Nga ky gjimnaz, tha ai deri më sot në UNT janë regjistruar rreth 50 studentë, nga të cilët deri më tani kanë diplomuar rreth 15 studentë, si dhe një magjistër i diplomuar. Në vijim, Suat Usejni shtoi se të gjithë studentët e diplomuar nga Velesi tashmë janë të punësuar, duke dëshmuar kualitetin dhe mundësitë që ofron Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Maturantët ishin kryesisht nga fshatrat e Velesit, si nga: dy Jabollçishtat, Buzallakova, Slivniku, Kllukoveci e ndonjë fshat tjetër. Pas prezantimit ata treguan interes shumë të madh për regjistrim që u pa edhe nga parashtrimi i pyetjeve rreth kushteve dhe mënyrës së regjistrimit.

By