Shkup, Prill 2025 – Fakulteti i Shkencave Teknologjike në kuadër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup organizoi me sukses ligjëratën e hapur me Doc. Dr. Toni Todorovskit nga Fakulteti për Bioteknologji dhe Zhvillim të Barnave nga Universiteti i Rijekës të Kroacisë.
Në ligjëratën me temë “Zhvillimi i konjugateve të reja antivirale të peptideve dhe porfirinave për të luftuar viruset që qëndrojnë në tru”, Dr. Todorovski ndau njohuritë dhe përvojën e tij të gjerë ndërkombëtare, duke ofruar një pasqyrë të thelluar mbi zhvillimet e fundit në fushën e kimisë medicinale dhe terapive peptidike.
Me përvojë kërkimore në Barcelonë dhe Leipzig, Dr. Todorovski aktualisht udhëheq Njësinë për Spektrometri të Masës në Fakultetin për Bioteknologji dhe Zhvillim të Barnave (FABRI) të Universitetit të Rijekës, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në kërkimin e terapive inovative për sëmundjet e rralla dhe ato virale.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë, staf akademik dhe studiues të fushave teknike dhe shkencore, të cilët patën mundësinë të diskutojnë nga afër me ligjëruesin rreth çështjeve më aktuale në shkencën bashkëkohore.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup falënderon Doc. Dr. Toni Todorovskin për bashkëpunimin dhe kontributin e tij akademik, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve të tilla në funksion të avancimit të dijes dhe shkëmbimit shkencor ndërkombëtar.