Veles, Prill 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vijon aktivitetet promovuese në shkollat e mesme, duke prezantuar ofertën akademike për vitin studimor 2026/2027. Në këtë kuadër, promovimi i radhës u zhvillua para maturantëve të Gjimnazit “Koço Racin” në Veles.
Para të pranishmëve u prezantuan kushtet e studimit dhe programet e shumta që ofrohen në tetë fakultetet e universitetit. Rreth këtyre mundësive folën Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, si dhe Suat Usejni, ekspert prakse në UNT dhe njëkohësisht profesor në këtë gjimnaz.
Gjatë fjalës së tij, dekani Ibrahimi theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së drejtë të studimeve, duke i inkurajuar maturantët që të vazhdojnë arsimin e lartë në UNT. Ai nënvizoi se çdo program studimor përfaqëson një mundësi reale për zhvillim profesional dhe siguri në të ardhmen. Po ashtu, ai bëri të ditur se nga ky gjimnaz deri më tani janë regjistruar rreth 50 studentë, prej të cilëve rreth 15 kanë diplomuar, ndërsa njëri ka përfunduar studimet e nivelit master.
Në vijim, Suat Usejni theksoi se një tregues i rëndësishëm i cilësisë së studimeve në UNT është fakti se të gjithë studentët e diplomuar nga Velesi janë tashmë të punësuar.
Maturantët pjesëmarrës vinin kryesisht nga vendbanime me popullsi shqiptare në rajonin e Velesit, si Jabollçishta, Buzallakova, Slivniku, Kllukoveci dhe fshatra të tjerë përreth. Interesimi i tyre për studimet në UNT ishte i dukshëm, çka u reflektua në pyetjet e shumta lidhur me kushtet dhe procedurat e regjistrimit.
