Tetovë, Prill 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka vijuar fushatën promovuese për orientimin akademik të të rinjve, duke u ndalur këtë radhë në qytetin e Tetovës. Ekipi promovues realizoi prezantime të detajuara në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.
Ekipi akademik i përbërë nga Drenusha Kamberi, Nita Beluli-Luma, Miranda Sabriu-Bexheti dhe Diellza Alili, njoftoi nga afër studentët potencialë me kushtet moderne të studimit që ofron institucioni ynë. Si i vetmi universitet publik në kryeqytet që ofron studime në gjuhën amtare, UNT prezantoi tetë njësitë e tij akademike, duke vënë theksin te programet inovative që përkojnë me kërkesat e tregut të punës, pajisjet laboratorike bashkëkohore, sistemi i bursave dhe mundësitë për mobilitet studentor përmes programit Erasmus+.
Maturantët tetovarë shfaqën interesim të lartë për drejtimet e shkencave, teknike-teknologjike, sociale dhe jo vetëm, duke u angazhuar në diskutime aktive me përfaqësueset e universitetit. Ky bashkëbisedim shërbeu për të sqaruar procedurat e regjistrimit dhe për të projektuar rrugëtimin e tyre të ardhshëm profesional në një mjedis akademik cilësor.
UNT falënderon drejtuesit e shkollave të mesme në Tetovë për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në shërbim të udhëzimit të duhur akademik të gjeneratave të reja.
