Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, si anëtar i Koalicionit të Universiteteve për Zhvillim të Qëndrueshëm – SustainED, vazhdon angazhimin e saj në promovimin dhe realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë kuadër, Prof. Inor. Dr. Arta Dalipi Xhelili, në cilësinë e Focal Point të UNT-së në Koalicionin SustainED, mori pjesë në sesionin tematik kushtuar rolit të universiteteve në zhvillimin e qëndrueshëm, të mbajtur më 13-14 nëntor 2026, në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare AISC 2026.
Gjatë prezantimit të saj, profesoresha Xhelili paraqiti aktivitetet dhe iniciativat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm, duke theksuar kontributin e universitetit në arsimin cilësor, kërkimin shkencor, gjithëpërfshirjen, barazinë gjinore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Sesioni i Koalicionit SustainED mblodhi përfaqësuesit e universiteteve anëtare, të cilët prezantuan aktivitetet dhe praktikat e institucioneve të tyre në funksion të realizimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Takimi shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e mundësive për iniciativa të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Koalicioni SustainED, i formalizuar më herët përmes një marrëveshjeje të përbashkët ndërmjet universiteteve anëtare, synon të fuqizojë rolin e institucioneve të arsimit të lartë në promovimin e politikave të qëndrueshme arsimore dhe shkencore, bashkëpunimin me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfshirjen aktive të studentëve dhe të rinjve.
Përmes pjesëmarrjes aktive në Koalicionin SustainED, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup riafirmon përkushtimin ndaj Agjendës 2030 dhe avancimit të zhvillimit të qëndrueshëm përmes arsimit, shkencës dhe bashkëpunimit institucional.
