Tiranë, Prill 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i përfaqësuar nga rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe Western Balkans University në Tiranë, i përfaqësuar nga rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana, kanë nënshkruar zyrtarisht një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ndërkombëtar arsimor dhe shkencor.
Kjo marrëveshje, e cila ka një vlefshmëri fillestare prej pesë vitesh, synon forcimin e urave akademike përmes një kornize të gjerë bashkëpunimi. Përmes këtij memorandum dy institucionet të arsimit të lartë do të angazhohen në shkëmbimin akademik të stafit universitar dhe studentëve për periudha deri në dy semestra, paralelisht me zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, seminareve dhe leksioneve online.
Bashkëpunimi shtrihet më tej në sferën e programeve studimore përmes zhvillimit të diplomave të dyfishta (Double Degree) dhe avancimit të edukimit të doktoratës, duke u fokusuar njëkohësisht në inovacion përmes programeve të inkubacionit për start-up-et dhe trajnimeve të specializuara afatshkurtra akademike.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi se ky memorandum është në linjë me strategjinë e universitetit për ndërkombëtarizim dhe rritjen e cilësisë akademike. Në këtë vizitë zyrtare, rektori Fetaji shoqërohej nga prorektorja, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, si dhe dekania, Prof. Inor. Dr. Urime Demiri Shaipi.
Marrëveshja parashikon që institucionet pritëse të ofrojnë mbështetje infrastrukturore, qasje në biblioteka dhe lehtësi të tjera për studiuesit dhe studentët shkëmbyes, duke promovuar parimin e reciprocitetit.
Ky bashkëpunim pritet të gjenerojë mundësi të reja për studentët e të dyja universiteteve, duke i ekspozuar ata ndaj metodave bashkëkohore të kërkimit dhe tregut rajonal të punës.
