Shkup, Gusht 2026 – Në kabinetin e tij të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim pune z. Sadudin Abduramani, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugë dhe Rrugica” në Shkup.
Gjatë këtij takimi, rektori Fetaji, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i UNT-së, Dr. Raim Jashari, njoftuan për së afërmi z. Abduramani për ecurinë e punimeve dhe zhvillimin e përgjithshëm të infrastrukturës universitare, si dhe për përgatitjet që po bëhen për fillimin e vitit të ri akademik.
Me këtë rast, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, falënderoi përzemërsisht zëvendësdrejtorin z. Sadudin Abduramani për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e institucionit që ai menaxhon. Në veçanti, u vlerësua lart angazhimi i NP “Rrugë dhe Rrugica” në rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve alternative qasëse, çka lehtëson në mënyrë të ndjeshme qarkullimin dhe rrit sigurinë e lëvizjes për studentët, stafin akademik dhe atë administrativ të universitetit.
Nga ana e tij, z. Sadudin Abduramani rikonfirmoi përkushtimin e ndërmarrjes publike për të vazhduar bashkëpunimin ndërinstitucional me Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, me qëllim krijimin e kushteve sa më moderne dhe të qasshme në shërbim të komunitetit akademik dhe qytetarëve.
