Resnjë, Maj 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vijoi rrugëtimin promovues në Gjimnazin “Car Samoil” në Resnjë. Dekania e Fakultetit të Shkencave Informatike, Doc. Dr. Majlinda Axhiu prezantoi para maturantëve ofertën akademike të 8 fakulteteve tona, duke vënë theksin te programet inovative dhe digjitalizimi i shërbimeve.
Gjatë takimit, nxënësit u njohën nga afër me lehtësirat dhe kushtet moderne që ofron kampusi i UNT-së në kryeqytet. Përveç infrastrukturës, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive akademike dhe shërbimeve inovative që synojnë rritjen profesionale të studentëve, me laboratorë modern, bibliotekë të pasur universitare dhe shumë shërbime të tjera digjitale, siç është Portali i ri i Qendrës së Karrierës, i cili lehtëson ndërlidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me tregun e punës.
Ky bashkëbisedim shërbeu si një udhërrëfyes për të rinjtë resnjarë drejt një karriere të suksesshme profesionale në UNT.
