Shkup, Maj 2026 – Studentët e vitit të tretë të programit studimor të Psikologjisë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, realizuan një vizitë ligjëruese në Qendrën për psikoterapi, logopedi dhe defektologji “Savant”. Kjo vizitë u realizua në kuadër të lëndës “Vlerësimi Klinik”, nën udhëheqjen e Doc. Dr. Nita Beluli Luma, me qëllim thellimin e njohurive dhe ndërlidhjen e teorisë me praktikën profesionale.

Gjatë vizitës, studentët u mirëpritën nga një ekip multidisiplinar i profesionistëve të qendrës, i përbërë nga: Hatixhe Sefa (psikologe dhe drejtoreshë), Zekije Ameti (defektologe), Xheneta Shabani dhe Sara Nuredin (logopede), si dhe Ilknur Ramadan Kadri dhe Sibel Imeri (psikologe).

Përmes një ligjërimi interaktiv, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e vlerësimit klinik te fëmijët, duke përfshirë aspektet e zhvillimit tipik dhe atij atipik. Gjatë sesionit u diskutuan raste praktike, metoda specifike vlerësimi dhe qasje profesionale nga këndvështrime të ndryshme disiplinore, duke e bërë këtë përvojë gjithëpërfshirëse dhe mjaft edukative.

Ligjërimi, i cili zgjati rreth dy orë, u vlerësua lart nga studentët, të cilët përfituan njohuri konkrete dhe reflektime të drejtpërdrejta nga profesionistë me përvojë të dëshmuar në terren. Vizitat e tilla mbeten pjesë e rëndësishme e kurrikulës së UNT-së për përgatitjen e studentëve për sfidat e ardhshme profesionale.

By