Shkup, 05.05.2026 – Sot, në një ambient pune në kabinetin e tij, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim zyrtar drejtorët e shkollave të mesme me qëllim ngritjen e bashkëpunimit institucional dhe bashkërendimin e aktiviteteve për orientimin e maturantëve.
Rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, Dr. Arbnor Rushiti dhe Mr. Ilir Idrizi, njoftoi drejtorët e shkollave të mesme për zhvillimet e fundit akademike të UNT-së dhe përgatitjet intensive që po bëhen për pranimin e gjeneratës së re të studentëve.
Gjatë takimit u diskutuan pikat vijuese si përgatitjet për vitin e ri akademik 2026/2027, një prezantim i strategjisë promovuese dhe ofertës akademike të 8 fakulteteve të UNT-së. Infrastruktura e digjitalizimit, njoftimi mbi kushtet moderne në kampusin tone dhe shërbimet e reja digjitale, si Portali i Karrierës e cila do të lansohet më 7 maj ku dukshëm do të lehtëson rrugëtimin e studentëve drejt tregut të punës.
Rektori Fetaji theksoi se koordinimi i ngushtë me shkollat e mesme është thelbësor për tu ofruar të rinjve një pasqyrë të qartë mbi mundësitë e studimit në një mjedis bashkëkohor që garanton zhvillim profesional.
Drejtorët e shkollave të mesme shprehën gatishmërinë e tyre për të thelluar këtë partneritet, duke e vlerësuar UNT-në si një qendër të rëndësishme akademike në kryeqytet.
