Inovacioni në shërbim të studentëve, UNT lansoi edhe softuerin e specializuar për orientim profesional dhe portalin e ri të punësimit të karrierës
Shkup, 07.05.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup hapi sot dyert për qindra maturantë dhe studentë në kuadër të edicionit të sivjetshëm të “Ditës së Hapur” dhe “Panairit të Karrierës”. Kjo ngjarje madhore kishte për qëllim ngushtimin e distancës midis arsimit akademik dhe realitetit profesional, duke ofruar një platformë unike dialogu mes universitetit, studentëve dhe sektorit privat.
Në hapjen solemne, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi se këto dy aktivitete përfaqësojnë misionin institucional për integrimin e shkencës me ekonominë.
“Dita e Hapur dhe Dita e Karrierës nuk janë aktivitete paralele, ato janë dy fytyra të së njëjtit mision. Tetë fakultetet tona janë përgjigja institucionale ndaj pyetjeve të maturantëve për të ardhmen, ndërsa bashkëpunimi me sektorin privat është garancia për suksesin e studentëve tanë,” u shpreh rektori Fetaji.
Panairi u realizua në partneritet të ngushtë me OEMVP-në, ku morën pjesë u.d. Kryetari, z. Nuhi Aliu, dhe drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri. Pjesëmarrja e kompanive të shumta nën ombrellën e Odës mundësoi kontakte të drejtpërdrejta për praktika profesionale dhe punësim.
Në fjalën e tij, z. Nuhi Aliu theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Kjo është një mundësi e shkëlqyer për studentët që të njihen me nevojat reale të bizneseve. I inkurajoj të rinjtë të jenë aktivë, ndërsa kompanitë t’i ftoj të investojnë te këta talente, sepse ata janë e ardhmja e ekonomisë sonë.”
Një pikë kyçe e kësaj dite ishte promovimi zyrtar i portalit të ri të Qendrës së Karrierës në UNT, një platformë digjitale inovative që shërben si pikë takimi mes studentëve dhe punëdhënësve. Ky portal u ofron studentëve, punë dhe praktika ekskluzive nga kompanitë më të mira në vend, oferta të praktikës të përshtatur me profilet studimore, këshillim individual për karrierë, përgatitje të CV-së dhe praktika profesionale dhe qasje direkte me punëdhënësit si dhe mentorim dhe programe për zhvillimin e aftësive.
Për më tepër, maturantët patën qasje në një softuer të specializuar që, përmes testimit të stilit të mësimit dhe specifikave individuale, i orienton ata drejt pesë drejtimeve studimore që u përshtaten më së shumti.
Ngjarja u mbyll me sukses, duke konfirmuar orientimin strategjik të UNT-së si një vatër e dijes në në kryeqytetin e vendit që formëson kuadro të gatshëm për tregun e punës dhe për zhvillimin e shoqërisë.
