Shkup, 19.05.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, mirëpritën sot në një takim pune në kabinetin e rektoratit, kryetarin e Komunës së Çashkës, z. Suat Shaqiri.

Takimi u zhvillua në një frymë pozitive bashkëpunimi, ku u diskutuan mundësitë e koordinimit institucional në sferën e arsimit të lartë dhe përkrahjes së të rinjve. Gjatë këtij bashkëbisedimi, theks i veçantë iu kushtua stimulimit dhe regjistrimit të vazhdueshëm, për çdo vit akademik, të studentëve nga rajoni i Çashkës në programet studimore që ofron Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Rektori Fetaji njoftoi kryetarin Shaqiri me ofertën e pasur akademike dhe kushtet moderne të studimit, duke vënë në dukje se programet tona studimore, me fokus të veçantë në shkencat teknike, teknologjike, shoqërore dhe ato të aplikuara, përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për ngritjen profesionale të kuadrove të reja nga kjo komunë.

Kryetari i Komunës së Çashkës, z. Suat Shaqiri, shprehu falënderim për mikpritjen dhe vlerësoi lart rolin akademik e shoqëror të UNT-së. Ai konfirmoi gatishmërinë e vetëqeverisjes lokale për të bashkëpunuar ngushtë me universitetin, me qëllim që të rinjtë e këtij rajoni të orientohen drejt studimeve cilësore që korrespondojnë me kërkesat e tregut bashkëkohor të punës. 

By