Shkup, 14.05.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi sot panelin e diskutimit me temë “Konsolidimi Institucional dhe Arsimi i Lartë”, me pjesëmarrjen e mysafirit special, Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Dr. Bekim Sali. Ky aktivitet, udhëhequr nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mblodhi bashkë stafin akademik, studentët dhe përfaqësues të lartë të ekzekutivit.
Panelin e diskutimit e hapi rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili në fjalën e tij hyrëse theksoi se ky aktivitet shënon një moment kyç për reflektim mbi rrugëtimin e deritanishëm të universitetit. Ai potencoi se konsolidimi institucional nuk është vetëm një proces administrativ, por një mision i përbashkët për të garantuar qëndrueshmëri juridike dhe cilësi akademike. Rektori Fetaji vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë me përfaqësuesit e ekzekutivit, si rasti i sotëm me Zëvendëskryeministrin Sali, është dëshmi e vullnetit për të harmonizuar vizionin akademik me reformat legjislative, duke siguruar që UNT të mbetet një institucion modern, me autonomi të plotë dhe infrastrukturë të denjë për kërkim shkencor.
Gjatë ekspozesë së tij kryesore, Dr. Bekim Sali trajtoi çështje jetike për mbarëvajtjen e arsimit akademik në vend. Ai elaboroi rolin e politikave strategjike shtetërore, ekonomike e shoqërore në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit institucional të universiteteve, duke i parë ato si shtylla të progresit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua reformës së legjislacionit në arsimin e lartë, specifikisht rëndësisë së Statutit si dokumenti bazë që përcakton strukturën organizative të universitetit. Po ashtu, z. Sali nënvizoi nevojën imediate për harmonizim ndërmjet politikave shtetërore, investimeve në potencialin e infrastrukturës arsimore e hulumtuese-shkencore dhe ruajtjes së autonomisë universitare si parakusht për liri akademike dhe cilësi.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe diskutimeve, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë informacione konkrete edhe nga këshilltari z. Sahmedin Sali, i cili u ndal tek iniciativat e fundit ligjore. Ai njoftoi stafin akademik dhe studentët mbi ecurinë e ndryshimeve në Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili për momentin ndodhet në fazë procedurale në Qeveri. Z. Sali sqaroi se këto ndryshime synojnë të adresojnë nevojat aktuale të universiteteve, duke optimizuar kornizën ligjore për një funksionim më fleksibël dhe në përputhje me standardet evropiane, gjë që nxiti një interes të shtuar te pjesëmarrësit për impaktin që këto reforma do të kenë në praktikë.
Paneli u pasua nga një debat i mirëfilltë dhe interaktiv, ku studentët dhe stafi akademik kontribuuan me mendime dhe pyetje konkrete mbi sfidat e legjislacionit aktual.
Në përmbyllje të aktivitetit, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, në emër të komunitetit akademik, i dorëzoi z. Sali Plaketën Mirënjohëse, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm, angazhimin e palodhshëm dhe mbështetjen e pakursyer në procesin e konsolidimit institucional dhe juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo mirënjohje shpreh respektin e lartë të komunitetit akademik dhe studentëve për rolin tuaj kyç në avancimin e arsimit të lartë dhe forcimin e statusit të Universitetit tonë.”
Në këtë panel diskutimi, përveç studentëve dhe stafit akademik, morën pjesë edhe personalitete të larta shtetërore dhe profesionistë të fushës së arsimit, të cilët kontribuuan në karakterin profesional të këtij evenimenti akademik. Ndër të pranishmit ishin deputetja e Kuvendit, znj. Imerlije Saliu, Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Driton Sulejmani, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, z. Shaban Allajbegu, drejtori i Qendrës për Zhvillim të Arsimit Profesional, z. Besnik Zendeli, si dhe zëvendësdrejtori i Qendrës Shtetërore të Provimeve, z. Bujamin Kadriu. Paneli u pasurua gjithashtu me praninë dhe ekspertizën e këshilltarit z. Sahmedin Sali dhe z. Afan Elezi.
