Mbi 40 punime shkencore nga mbarë bota dhe krerë të lartë institucionalë bëhen bashkë në seancën plenare

Shkup, 21.05.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, respektivisht Fakulteti i Shkencave Sociale, sot hapi zyrtarisht punimet e edicionit të 10-të jubilar të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin. Kjo ngjarje madhore shkencore mblodhi në sallën e hapur të “Hotel Aktor” dhe në ambientet e UNT-së kërkues shkencorë elitarë, krerë të lartë institucionalë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, për të trajtuar temën me peshë gjeopolitike: “Cross-Border Population, Migration, (De)Globalization: Complexity, Patterns and Dynamics in Managing Global Immigration Diversity”.

Konferenca e sivjetshme shënon një pjekuri të lartë akademike për UNT-në, duke prezantuar mbi 40 punime shkencore të pranuara nga studiues dhe ekspertë që vijnë nga vendi, rajoni dhe mbarë bota, përfshirë institucione prestigjoze si Akademia Austriake e Shkencave dhe Universiteti i Warwick-ut. Ngjarja e rëndësishme u udhëhoq dhe u koordinua me sukses nga koordinatorja e përgjithshme e konferencës, Prof. Dr. Drenusha Kamberi.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në fjalën e tij hapëse, theksoi se ky dhjetëvjetor e shndërron universitetin në një qendër reference rajonale për migracionin. Ai ngriti alarmin mbi sfidat demografike: “Për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, ky diskutim mbart një peshë të dyfishtë. Ne përballemi me sfidat e menaxhimit të rrjedhave transitore, por njëkohësisht vuajmë nga plagët e eksodit të rinisë dhe të asaj që në botën akademike e quajmë ‘Brain Drain’ apo ikja e trurit. Sipas të dhënave të OKB-së, rajonit tonë i kanoset rreziku të humbasë deri në një të tretën e popullsisë së tij të re deri në fund të këtij shekulli nëse trendet aktuale vazhdojnë. Këto shifra janë një thirrje urgjente për veprim.”

Zëvendëskryeministri i Parë, z. Bekim Sali, u fokusua në reformat ligjore dhe kuadrin strategjik, duke e ndërlidhur menaxhimin e migracionit me integrimin evropian: “Për ne, si një vend aspirant për anëtarësim në BE, këto çështje janë drejtpërdrejt të lidhura me Kapitullin 24 të negociatave (Drejtësia, Liria dhe Siguria). Rezoluta për Politikën e Migracionit 2026 – 2030, Strategjia për Integrimin e Refugjatëve dhe të Huajt, si dhe anëtarësimi ynë si vëzhgues në Rrejtin e Migracionit të Bashkimit Evropian, dëshmojnë përkushtimin tonë institucional. Gjatë vitit 2025, kemi shënuar një rënie prej 10.9% të tentativave të parandaluara për kalim ilegal të kufirit, por kjo mbetet një sfidë që kërkon koordinim rajonal.”

Përfaqësuesi i DCAF – Qendrës së Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë, z. Vlado Gjerdovski, nënvizoi rëndësinë e qeverisjes së mirë të kufijve bazuar në parimet e sundimit të ligjit: “Nga këndvështrimi i DCAF-it, migracioni nuk është vetëm një çështje demografike apo humanitare, por është ngushtë i lidhur me qeverisjen, të drejtat e njeriut dhe llogaridhënien. Asnjë shtet nuk mund t’i adresohet i vetmuar kompleksitetit të rrjedhave të migracionit. Qeverisja efektive kërkon politika të balancuara që mbrojnë njëkohësisht sigurinë kombëtare dhe dinjitetin njerëzor. Analizat shkencore dhe kërkimet empirike janë udhërrëfyesi kryesor mbi të cilin duhet të ndërtohen strategjitë afatgjata.”

Prorektori për Shkencë, Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, vuri theksin mbi bashkëpunimin ndërkombëtar universitar si një urë për zgjidhjen e krizave globale: “Dimensioni hibrid i këtij edicioni të 10-të dhe bashkimi i partnerëve si DCAF, IOM, Legis dhe ‘Uttara University’, tregon se shkenca nuk njeh kufij gjeografikë. Ky rrjetëzim akademik na mundëson shkëmbimin e platformave më të mira shkencore për të kuptuar se si de-globalizimi po ndikon në tregun e punës dhe në lëvizjet ndërkufitare, duke ofruar zgjidhje të bazuara në të dhëna të sakta për mbrojtjen e diversitetit kulturor.”

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Inor. Dr. Bejtulla Emini, si mikpritës, u shpreh falënderues ndaj të gjithë brezave që ndërtuan këtë rrugëtim 10-vjeçar: “Fakti që sot po organizojmë edicionin e dhjetë është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë akademik për të krijuar hapësira ku diskutohen problemet më vitale të shoqërisë. Rajoni ynë përballet me sfida që lidhen me migrimin e të rinjve dhe lëvizjen e fuqisë punëtore, prandaj universitetet kanë rol të rëndësishëm në adresimin e këtyre proceseve përmes kërkimit shkencor dhe debatit akademik. Si Fakultet i Shkencave Sociale, ne mbetemi të përkushtuar në krijimin e hapësirave akademike ku trajtohen temat më aktuale dhe më të rëndësishme për shoqërinë.”

Pas përfundimit të seancës plenare në “Hotel Aktor”, punimet e konferencës vazhduan përgjatë ditës në katër sesione paralele shkencore dhe hibride në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke u përmbyllur me rekomandime konkrete për politikëbërjen rajonale dhe globale të migracionit.

By