Shkup, 09.11.2026 Për nder të 9 Nëntorit, Ditës Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi garën tradicionale të prezantimit të ideve inovative, duke bashkuar në një platformë të përbashkët nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e arsimit të lartë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UNT-së theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes arsimit të mesëm dhe atij universitar, duke vlerësuar se ky bashkëpunim u ofron të rinjve mundësinë të mësojnë ndërmjet vëzhgimit, argumentimit dhe punës në ekip.
Në këtë edicion garues u prezantuan gjithsej 6 (gjashtë) projekte inovative, të vlerësuara nga një juri profesionale e përbërë nga përfaqësues të komunitetit akademik dhe atij profesional, edhe atë nga prorektori për Financa, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, dekania e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bukurie Imeri Jusufi, si dhe Prof. Inor. Dr. Vladimir Kitanovski. Për shkak të cilësisë së lartë dhe nivelit të ngjashëm të kreativitetit mes 6 projekteve konkurruese, juria pati një sfidë të vërtetë dhe vendosi me vështirësi të madhe për përzgjedhjen e fituesve.
🥇 Vendi i 1-rë: projekti inovativ me titull, “FOOD 360”, nga Sh.M.Q.Sh “Zef Lush Marku”
🥈 Vendi i 2-të: projekti inovativ me titull, “DECISION LAB AI”, Sh.M.Q.Sh “Arseni Jovkov”
🥉 Vendi i 3-të: projekti inovativ me titull, “STUDENT PASSPORT”, Sh.M.Q.Sh “Arseni Jovkov”
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet i përkushtuar në mbështetjen e talenteve të rinj, duke e shndërruar dijen dhe kreativitetin në shtyllë të zhvillimit shoqëror. Me këtë rast, shprehim falënderimet tona më të sinqerta për profesorët e shkollave të mesme për kontributin, përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme në udhëzimin dhe brumosjen e nxënësve drejt suksesit akademik.
