𝐍𝐄 𝐔𝐍𝐓 𝐔 𝐙𝐇𝐕𝐈𝐋𝐋𝐔𝐀 𝐊𝐎𝐍𝐅𝐄𝐑𝐄𝐍𝐂𝐀 𝐄 𝟓-𝐓𝐄 𝐍𝐃𝐄𝐑𝐊𝐎𝐌𝐁𝐄𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐃𝐑𝐄𝐉𝐓 𝐙𝐇𝐕𝐈𝐋𝐋𝐈𝐌𝐈𝐓 𝐓𝐄 𝐐𝐄𝐍𝐃𝐑𝐔𝐄𝐒𝐇𝐄𝐌

𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟐𝟗.𝟏𝟎.𝟐𝟎𝟐𝟏 Në ambientet e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot u zhvillua për të pestën herë me radhë Konferenca ndërkombëtare drejt zhvillimit të qëndrueshëm, e cila tubon pedagogë, politikanë, shkencëtarë e vendimmarrës nga e gjithë Evropa.

Në pjesën e konferencës me prezencë fizike në panel, nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministri i Ambientit Jetësor dhe planifikimit hapësinor z.Naser Nuredini, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës z.Arafat Shabani, Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup E.S. zonja Anke Holstein, përgjegjësi i Seksionit për Çështje Ekonomike i Këshillit Evropian Freek Janmaat, drejtuesja e programeve Katalin Tamus, këshilltari i kryeministrit Johannes Heidecker dhe përfaqësuesi nga kompania model Dauti Komerc, Mevludin Ibishi.

Konferencën e moderoi Prof.Dr. Bekim Fetaji, prorektor për Shkencë i UNT-së, njëherit president i saj, i cili tha se kjo konferencë zhvillohet gjatë shënimit të jubileut 5 vjet ekzistencë e universitetit.

Në fjalimin mirëseardhës rektori i UNT-së Prof.dr. Aziz Pollozhani tha se kjo konferencë po mbahet edhe në kushte kur pandemia akoma për fat të keq nuk ka mbaruar, por se e njejta është parë si sfidë shtesë, sepse universitetet janë këtu për tu ofruar zgjidhje problemeve, dhe pademia Covid 19 është një problem shumë i madh për zhvillimin e qëndrueshëm. UNT tha Pollozhani, është themeluar me pritshmërinë që të jetë qendër për studime dhe hulumtime.

Ministri i Ambientit Jetësor dhe planifikimit hapësinor z.Naser Nuredini tha se kur diskutohet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe pandeminë, konstatojmë se askush nuk e ka pritur që ajo të ndodh, kur i shtohen kësaj edhe ndryshimet klimaterike dhe pasojat që ato i shkaktojnë çdo ditë, vijmë në përfundim se pandemia do të kalon sepse ka një vakcinë, kurse ndryshimet e klimës nuk kanë një zgjidhje të tillë. Qeveritë duhet të punojnë ngusht me akademinë, sepse ato vijnë e shkojnë, ndërsa akademia ngelet këtu, tha Nuredini.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës z.Arafat Shabani tha se debati akademik për zhvillimin e qëndrueshëm është i një rëndësie të veçantë, sepse të gjithë ne si shtete kemi adaptuar ‘Agjendën 2030’ të Kombeve të Bashkuara dhe Ministria e Arsimit do të mbështes zhvillimin e qëndrueshëm.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup E.S. zonja Anke Holstein iu drejtua konferencës me një shqipe të pastër. Holstein tha se qeveritë e shteteve më të mëdha të botës duhet bashkëpunuar dhe bashkërënduar punën e tyre për problemet që preokupojnë planetin siç është ngrohja globale. Ashtu siç u vërejt me solidarizimin me vakcina, në mënyrë të njejtë duhet të bashkëpunojnë edhe për problemet tjera. Ajo tha se Maqedonia e Veriut është vlerësuar pozitivisht në raportin e Komisionit Evropian, por se ende problem mbesin reformat në gjyqësor, pabarazia në tregun e punës, që deytron të rinjtë të punojnë jashtë Maqedonisë.

Konferenca ndërkombëtare drejt zhvillimit të qëndrueshëm u zhvillua me prezencë të kombinuar, fizike dhe nga distanca, me pjesëmarrjen e mbi 60 pedagogëve, politikanëve, shkencëtarëve nga Maqedonia e Veriut, rajoni dhe Evropa.