UNT vendosi kurrorë me lule mbi pllakën përkujtimore të NënëTerezës në qendër të Shkupit
Shkup, 26 Gusht 2022 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup me rastin e 112 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës organizoi tribunë kushtuar ditëlindjes së Nënë Terezës me pjesëmarrës nga stafi akademik si dhe nga jashtë.
Delegacioni i UNT-së i prirë nga Rektori, Prof. Dr. Izet Zeqiri vendosën buqetë me lule mbi pllakën përkujtimore të Nënë Terezës. Pas vendosjes së buqetës, delegacioni vazhdoi tribunën në hapësirat e Galerisë “Omer Kaleshi”.
Tribunën e hapi rektori Zeqiri duke iu treguar të pranishmëve se: “Nënë Tereza me punën e saj të palodhshme, me dedikimin e saj ndaj njerëzve dhe me shpirtin e saj human përçoi dritë e dashuri në gjithë globin, dhe u shëndrrua në shpresë për miliona njerëz të varfër nëpër botë. Ishte dhe ngeli inspirim për shumë shoqëri dhe shtete.” – tha rektorit Zeqiri
Ai gjithashtu potencoi se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, si i vetmi institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe, e mban dhe gjithmonë do ta mbaj emrin e saj me krenari.
Fjalë rasti në këtë tribunë iu dha, Znj. Kadrije Zejnullahu ish gazetare si dhe e diplomuar pranë Fakultetit Filologjik në gjuhën Shqipe. Ajo dha disa elaborime mbi librin e saj të titulluar “Nëna ime, Nëna Terezë”, ku potencoi se bota sot ka nevojë më shumë për dashuri.
Prof.dr. Rizvan Sulejmani elaborimet e tij i kishte mbi temën “Ndikimi i Nënë Terezës në politikën dhe diplomacinë botërore” ku potencoi se: “Nënë Tereza dha kontribut në politikën bashkëkohorë, në krijimin e një diskursi të ri politik që jo vetëm do të kishte sukses në zgjidhjen e krizave nga varfëria por edhe problemeve sociale dhe qytetare.” – tha Profesor Sulejmani
Doc. dr. Elisabeta Ollogu – përkushtim të veçantë kishte në temën “Nënë Tereza frymëzim për gratë dhe për mbarë njerëzimin” që me fjalitë e saj ajo theksoi se: “Krahas të qenurit një figurë shumëdimensionale dhe komplekse, Nënë Tereza mbetet edhe një figurë kontroversale dhe objekt kritikash, ku ndër to edhe feministe të ndryshme, në kohë, kanë drejtuar kritika mbi figurën e Nënë Terezës duke e parë atë si një figurë e pozicionuar ideologjikisht – një konservatore e konformuar me rend social patriarkal, e kjo e fundit mbetet qendër kritikash për feminizmin.
Megjithatë, unë besoj se ideologjia e Nënë Terezës ishte ‘njerëzimi’ e kjo grua trup vogël me shpirtin e madh ka lënë një trashëgimi të rrallë, atë të vlerave universale e këto vlera nuk i përkasin burrave apo grave por të gjithë njerëzimit”. – tha Profesoresha Ollogu
Prof. dr. Sunaj Raimi njëherit dhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale elaborimet e Tij e pati mbi temën “Dimensioni kosmopolit i jetës dhe veprës së nënës tonë Terezë” ku në fjalën e Tij tha se: “Humanizmi, devotshmëria dhe gadishmëria për ta ndihmuar këdo dhe kudo ishte dhe mbeti atributi kryesor i identifikimit antropologjik të kësaj Nëne shpirtmadhe. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë pasuri shpirtërore të Nënë Terezës, të gjithë neve vdektarëve na mbetet një obligim moral që edhe në mos mundshim të bëjmë vepra të mëdha humane si ajo, atëherë së paku të veprojmë sipas porosisë jashtëkohore të saj e cila thotë: ‘Ne nuk mund të bëjmë të gjithë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’!” – tha Profesor Raimi
Prof. dr. Urime Shaipi Demiri vëmendje të veçantë i dha temës “Nëna Terezë ambasadorja më e mirë e shqiptarëve në botë” ku përmes fotografive dhe ngjarjeve personale shpalosi lidhjen emocionale që kishte me Nënë Terezën gjatë studimeve të doktoraturës në Brunie Darussalam, Azi Juglindore. Ajo theksoi se pjesën më të madhe te jetes Nënë Tereza e kaloi ne Kalkutë dhe njihet në Azi si Nënë Tereza e Kalkutës, respektohej dhe adhurohej nga të gjithë pa dallim feje dhe nacionaliteti. Por si mbijetoi kjo vajzë e re shkupjane në këtë kontinent të larget, larg familjes, larg vendit të saj, duke i ndihmuar të varfërit nga më të varfërit? Nevoiten studime mbi aspektin sociologjik të Nënë Terezës në mënyrë që të kuptohet më mire dimensioni universal i saj dhe impakti që ka Nënë Tereza edhe sot në botë.
Prof. dr. Mustafa Ibrahimi në temën “Nënë Tereza në filatelinë botërore” foli për materialet filatelike interesante me figurën e shqiptares së madhe, simbolit të humanizmit, nobelistes, Nënë Tereza. Portreti i kësaj humanisteje për njerëzimin, përveç në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është riprodhuar edhe në shumë shtete të botës. Mbi 100 shtete kanë emërtuar rreth 400 deferenta me portretin e Nënë Terezës, por edhe me figura të shquara botërore. Pulla e parë botërore me portretin e saj u emërtua në Indi, në vitin 1980, duke mbetur një ndër tematikat me subjekt historik ndër më interesantet në mbarë botën.’ – tha Profesor Ibrahimi
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup që nga themelimi i saj vëmendje të veçantë i kushton ngritjes së emrit që edhe mbanë duke atribuar në shkencë dhe hulumtime empirike.