Shkup, 01.09.2022 – Në prag të fillimit të vitit të ri akademik 2022/2023 Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup realizoi me sukses trajnimin dedikuar stafit akademik dhe administrativ me temë ‘Funksionimi efikas dhe efektiv i Universitetit: sigurimi i cilësisë’.

Trajnimi kishte për qëllim njoftimin e punonjësve me strategjinë zhvillimore, planin aksional dhe sistemimin e studentëve të rinj, të cilët në afatin e parë regjistrues kanë shënuar rekord të ri.

Rektori i UNT-së Prof. dr. Izet Zeqiri në diskutimin e tij theksoi se Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup duhet të zhvillohet në bazë të mjedisit që e rrethon atë, sepse në bazë të vendnodhjes që ka në qendër të kryeqytetit, me drejtime studimore tërësisht deficitare, me tre fakultete të reja, dhe me program që ofron tre gjuhë studimi, atë shqipe, maqedonase dhe angleze, duhet të jetë konkurent serioz për secilin universitet publik, por edhe privat në vend.

Zeqiri tha se Qeveria duhet të ofrojë më shumë mbështetje financiare për universitetet, sepse ato ulen çdo vit, dhe si rjedhojë sistemi arsimor në vendin tonë renditet mes vendeve me mbështetje buxhetore nga më të ulëtat për arsimin në Evropë.

Prorektori për Arsim, Fati Iseni në diskutimin e tij foli për rëndësinë e futjes së risive në programet studimore, për çështjet akademike në universitet dhe për përkushtimin e stafit akademik në përgatitjen e gjeneratave të reja.

Prorektori për shkencë Bekim Fetaji tha se një nga kriteret për renditjen e universiteteve në Listën e Shangait është publikimi i punimeve shkencore, dhe arritjeve në përgjithësi.

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare Rizvan Sulejmani tha se aktualisht, numri i marrëveshjeve ndër-institucionale të bashkëpunimit me universitete rajonale dhe ndërkombëtare është rreth 50, ndërsa shumica e partneriteteve janë nën kornizën e programit Erasmus, me universitete nga Shqipëria, Kosova,Turqia, Polonia, Bullgaria, Kroacia, Italia, Republika Çeke, Hungaria, Sllovenia, Lituania, Sllovakia, Letonia dhe Portugalia.

Prorektori për Financa dhe investime strategjike foli për buxhetin dhe planifikimin e investimeve për këtë vit akademik, prezantoi planet dhe kohëzgjatjen e realizimit të të njejtave.

Gjatë trajnimit para të punësuarëve në UNT u prezantua gjendja aktuale në universitet, planet që janë duke u realizuar si dhe qëllimet për të ardhmen në aspekt të cilësisë, rritjes së ofertës përmes rritjes së numrit të stafit akademik dhe administrativ, si dhe rritjes së numrit të programeve studimore.

By