Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, në prani të rektorit Prof. Dr. Izet Zeqiri, dekanëve, profesorëve dhe dashamirëve të fjalës së bukur, organizoi promovimin e librit të radhës të Prof. dr. Sunaj Raimit, i titulluar ‘Porosia në shishe’.

Rektori Zeqiri në fjalën e tij para të pranishmëve tha se libri ‘Porosia në shishe’ i tejkalon caqet e titullit, ndërsa mendimet dhe idetë jokonvencionale janë paraqitur në zhanre të ndryshme siç janë poezia, tregimet dhe proza, ndërsa vetë autori ka bërë një punë kolosale me arritjen e botimit të 17-të veprave.

Recenzenti i librit Avni Avdiu tha se ky libër dallon për nga titulli dhe përmbajtja, duke përdorur metaforën e bartjes së porosisë në shishe, që është thellësia e oqeanit dhe që dëshmon për përmasat e dashurisë dhe dukshmërisë së qelqit, që tregon transparencën e saj.

Recenzenti Sevdail Demiri tha se zakonisht porositë në shishe lëshoheshin në thellësi oqeanesh për të ruajtur të dhëna sekrete të ndonjë dashurie ose për t’ia përcjellur ato personit të dashur që priste nga largësi të mëdha tejoqeanike.

Moderatori i promovimit Prof.Dr. Enver Abdullai vlerësoi librin si të veçantë, dhe që dëshmon një përmbledhje të një pune të palodhshme 30 vjeçare të autorit. U.d. dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof.Dr. Mustafa Ibrahimi tha se mburet që shumica e librave të botuar në UNT, rrjedhin nga ky fakultet dhe se i gjithë nëntori shqiptar do të shënohet me promovime të librave.

Prof.Dr. Sunaj Raimi tha se gjatë karierës së tij, si pedagog dhe si artist është ballafaquar me një fenomen të mospranimit të multidimenzializmit të veprimit, ndërsa si njeri polivalent, profesor me përvojë mbi 30 vjeçare, këngëtar me 34 komponime dhe poet me 17 vepra të botuara, e pranon këtë polivalencë të tij si dhuratë nga Zoti.

Autori Sunaj Raimi ne këtë libër ofron një risi zhanri, duke përfshirë me shije një numër të përzgjedhur të poezive të vlerësuara gjithandej, të qasjeve filozofiko-sociologjike, të meditimeve përkitazi me të jetuarit shoqëror, të anekdotave të letrarizuara në frymën pragmatiste si dhe të disa tregimeve të shkurta shumë interesante.

Libri ‘Porosia në shishe’ e Prof. dr. Sunaj Raimit është libri i 17-të i botuar në karierën 30 vjeçare të tij.

By