Dekanja e Fakultetit Juridik pranë UNT-së, Doc.Dr. Kaltrina Zekolli Shaqiri mori pjesë në Forumin Energjetik të MEF-it (Forumi për Energji i Maqedonisë) në cilësinë e panelistes në Panel diskutimin me temë: “Promovimi i diversitetit gjinor në tranzicionin e drejtë të energjisë”.
Mes panelisteve nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Danimarka dhe nga vendi ynë profesoresha Zekolli theksoi nevojën imediate për përfshirje më të madhe të grave në industrinë e energjisë, por edhe për ndikimin e secilit individ në procesin e barazisë gjinore në përgjithësi.
Ajo prezantoi politikat e barazisë gjinore që ofron Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, të cilin ajo e përfaqësoi duke informuar për mundësitë e shumta që ofron UNT me programet e studimit të cilat janë deficitare dhe në përputhje me nevojat reale të tregut, si dhe rolin që luajnë pedagoget në stimulimin e të rejave për të zgjedhur profesionin që duan, duke mos u ndikuar dhe pa vënë në dyshim aftësitë e tyre profesionale.
‘Perceptimi i energjisë duhet të moderohet dhe të ndryshohet, ndaj duhet të vazhdojmë të përpiqemi të ndikojmë, qoftë përmes procesit arsimor apo krijimit të politikave të përditshme. Le t’u theksojmë studentëve, punonjësve dhe kolegëve tanë se, nga prejardhja jonë familjare, ne nxjerrim cilësinë dhe profesionalizmin e një personi. Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin për rëndësinë e balancit gjinorë në komunitetin e biznesit, duke identifikuar strategji dhe programe për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në sektorin e energjisë, si dhe reduktimin e hendekut gjinor në arsim dhe në tregun e punës. Gjithashtu, përmes ligjëratave, punëtorive dhe diskutimeve, gratë, veçanërisht intelektualet e reja, duhet të inkurajohen që të vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe të arrijnë rezultate të lakmueshme në karrierë’, tha Zekolli.
Zekolli foli për rolin e saj në kuadër edhe të Rrjetit të Grave në Shkencë që ka realizuar projekte në sektorin e energjisë brenda dhe jashtë vendit!Pjesëmarrja e Dekanes së Fakultetit Juridik pranë UNT-së, Doc.Dr. Kaltrina Zekolli Shaqiri në panel diskutimin ‘Promovimi i diversitetit gjinor në tranzicionin e drejtë të energjisë’, ishte në kuadër të Forumit për Energji të Maqedonisë, të cilin tradicionalisht e organizon Instituti ZIP nga Shkupi.