Shkup, 27.12.2023 – Me një ceremoni modeste të fundvitit Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup, në prani të punonjësve, mysafirëve dhe mediave, falënderoi publikisht donatorët privatë, të cilët me mjetet e tyre kontribuan në adaptimin e tre godinave të UNT-së, që ishin seriozisht të dëmtuara.

Rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri tha se mysafirët e pranishëm janë njerëz shumë special, që nuk kanë kursyer as kohën e tyre të çmuar, as mjetet e tyre për të ndihmuar në konsolidimin e hapësirave për mësimdhënie, siç është Qendra multifunksionale, me 5 salla mësimi, bibliotekën e universitetit dhe zyrat pune për administratën, si dhe godinat me 32 zyre për punonjësit e UNT-së.

‘Mirënjohje në emër të UNT-së do të ndaj për z. Mendi Qyra, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Muarem Murtezanin, pronar i kompanisë Alma M, Bajram Imerin, pronar i kompanisë Eftinija Impex, Mexhait Shaini, pronar i kompanisë ‘Tempo profili 99’, Besir Dernjani, drejtor i fondacionit Albiz dhe Rufat Sherifin, drejtor i Fondacionit Axis , me të cilin së shpejti do të rinovojmë tërësisht bibliotekën universitare’, tha rektori Zeqiri duke shtuar se pa ndihmën e këtyre njerëzve zemërgjërë ky investim nuk do të realizohej.

Pas marrjes së mirënjohjeve afaristët theksuan se me kënaqësi kanë kontribuar në konsolidimin e hapësirave të UNT-së, sepse nga këtu pritet të dalin kuadro profesioniste shumë të nevojshme për tregun e punës ku ata operojnë.

Rektori Zeqiri në pika të shkurtëra informoi të pranishmit me të arriturat e realizuara në vitin 2023 dhe planifikimet për vitin e ardhshëm 2024, duke iu falënderuar secilit që ka besuar në UNT-në, pikë së pari studentëve që edukohen këtu, profesorëve dhe administratës të cilët zhvillojnë karrierë këtu, miqve dhe dashamirëve të cilët janë partnerë në çdo hap të zhvillimit të tij.

Sot u lëshuan në përdorim zyrtar Godina B apo Qendra multifunksionale, me 5 salla mësimi dhe bibliotekë universitetare, si dhe Godina C, e përbërë nga 32 zyra pune për profesoratin dhe administratën, me një investim prej mbi 150 mijë euro.UNT këtë tetor, filloi vitin akademik në objektet e reja, me ç’ rast kishte të renovuar vetëm objektin kryesor, pas marrjes nën pronësi të objekteve të ish kazermës Ilinden, truall me sipërfaqe prej 50 mijë metra katrorë, dhe me hapësira pune afro 8 mijë metra katrorë.

By