PRITET THELLIMI I BASHKËPUNIMIT MIDIS AMBASADËS AUSTRIAKE DHE UNT-së
Shkup 26.06.2024 – Sot për vizitë pune në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup qëndroi ambasadori i Austrisë, Shkëlqesia e Tij z. Martin Pammer dhe lektori austriak për gjuhë gjermane z.Besim Alili, atë e pritën prorektorët prof. dr. Bekim Fetaji, prof. dr. Fati Iseni, doc. dr.Bujamin Bela si dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane prof.dr. Mustafa Ibrahimi së bashku me profesorin e gjermanishtes prof. dr. Izer Maksuti.
Gjatë takimit prorektorët prezentuan punën dhe programet e UNT-së, si dhe shprehen mirënjohjen në emër të rektorit Prof. Dr. Izet Zeqiri, i cili gjendet në udhëtim zyrtar. Fillimisht Prorektori Fetaji, pasi amabasadorit i uroji mirëseardhje në emër të UNT-së, gjerësisht e njoftoi me tetë fakultetet e UNT-së dhe me të gjitha programet studimore. Prof. Dr. Iseni u përqëndrua në rezultatet e arritura të UNT-së me theks të posaçëm në projektet e realizuara dhe të hapura të universitetit. Midis tjerash u ndal edhe në studimet e shkencave politike, duke kërkuar që të ketë bashkëpunim me intitucionet austriake të kësaj fushe. Prorektori për financa, z. Bela paraqiti programet studimore dhe ndikimin e të diplomuarve në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe jashtë. Ai kërkoi bashkëpunim midis universiteteve, stafit dhe studentëve me institucionet simotra në Austri.
Dekani i FSHH-së prof. dr. Mustafa Ibrahimi, më së tepërmi u përqëndrua në njoftimin e ambasadorit me programet studimore që lidhen me Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane dhe Degën e Përkthimit shqip-maqedonisht-gjermanisht. Nga ambasadori kërkoi bashkëpunim në sigurimin e lektorëve të gjuhës gjermane dhe furnizimin me literaturë bashkëkohore dhe profesionale në gjuhën gjermane për Laboratorin gjuhësor që është në realizim e sipër.
Ambasadori z. Pammer, pasi u falënderua për ftesën, midis tjerash theksoi se ndjehet i kënaqur me vizitën e parë në UNT, si dhe me hapjen e Katedrës së Gjuhës Gjermane dhe Degën e përkthimit trigjuhësor. Në këtë mënyrë UNT-ja dëshmon për natyrën multikulturore të Maqedonisë së Veriut, si bazë për bashkëjetesë dhe prosperitet. Shkëlqesia e tij u zotua se pas këtij takimi, bashkëpunimi do të thellohet edhe më shumë, duke propozuar edhe projekte konkrete, që mund të realizohen në të ardhmen. Në fund ambasadori z. Pammer premtoi përkrahje për bashkëpunim midis Institucionit të “Shërbimit Austriak për Shkëmbim Akademik (OeAD)” me UNT-në.