Shkup, 16.12.2024 – Nën patronazhin e Kuvendit Studentor Universitar të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u organizua me sukses një panel diskutimi me Zëvendëskryeministrin e Parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, mbi temën: “Çështjet studentore dhe universitare.”

Panelin e bëri të hapur kryesuesi i Kuvendit Studentor Universitar, Omer Hebibi, i cili theksoi: “Vlerat dhe idetë studentore duhet të orientohen drejt një dialogu të hapur me institucionet përgjegjëse, me qëllim arritjen e objektivave dhe adresimin e nevojave studentore.”

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Izet Zeqiri, si nikoqir i këtij tempulli të dijes, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, veçanërisht studentët për organizimin e këtij paneli, duke i inkurajuar që të angazhohen aktivisht dhe të adresojnë çdo shqetësim që kanë.

Në fjalën e tij hyrëse, Zëvendëskryeministri i Parë, z. Izet Mexhiti, theksoi:

“Roli juaj si studentë shkon përtej auditorëve dhe provimeve. Ju jeni partnerë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Studentët gjithmonë kanë përfaqësuar avangardën e ndryshimeve të mëdha shoqërore, duke qenë pararendës të revolucioneve dhe ndryshimeve. Prandaj, zëri i studentëve meriton të dëgjohet dhe respektohet.”

Z. Mexhiti ndau informacione mbi masat qeveritare, duke përfshirë: vauçerët prej 250 eurosh për blerjen e pajisjeve elektronike si telefona, kompjuterë apo tabletë për çdo student, 10 milionë euro mbështetje për të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, dedikuar për nisjen e bizneseve të reja. Çdo biznes mund të përfitojë deri në 30,000 euro financim, investimin kapital prej 35 milionë eurosh për ndërtimin e Kampusit Universitar të UNT-së.

Ky panel diskutimi u moderua Jeta Qormemeti, studente pranë Fakultetit të Shkencave Teknike nga drejtimi Doganë, Shpedicion dhe Sigurime.

Pas përfundimit të fjalimeve hyrëse, vijoi një debat interaktiv që ngjalli interes të madh tek të pranishmit, duke krijuar një debat të dobishëm për shkëmbim mendimesh dhe propozimesh.

By