Shkup, 24.12.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim forcimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy institucioneve.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof.dr. Izet Zeqiri, dhe ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, z. Fatmir Limani.

Në këtë takim, rektori Zeqiri, i shoqëruar nga prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof.dr. Blerim Saiti, dhe sekretarja e përgjithshme e UNT-së, znj. Mukades Hajdari, e informuan ministrin z. Fatmir Limani mbi zhvillimet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe mbi format e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, që sot u konkretizuan me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit.

Ministri Limani falënderoi rektorin Zeqiri për mikpritjen dhe shprehu urimet e tij që bashkëpunimi mes dy institucioneve të thellohet edhe më tej.

Ky memorandum synon të nxisë bashkëpunimin e ndërsjellë përmes shkëmbimit të mendimeve shkencore, profesionale dhe praktike në fushën e politikës sociale, demografisë dhe rinisë. Ai është udhëhequr nga nevoja për të avancuar cilësinë e arsimit, trajnimin e personelit dhe për të përmbushur interesat e përbashkëta të të dy institucioneve, duke respektuar aktet që rregullojnë kompetencat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Bashkëpunimi synon të realizohet përmes, shkëmbimit të përvojave dhe njohurive shkencore e profesionale, dhënies së mendimeve profesionale mbi politikën sociale në të gjitha nivelet, mbështetjes dhe organizimit të konferencave profesionale dhe shkencore, seminareve, tryezave të rrumbullakta, punëtorive, dhe shkollave verore, realizimit të formave të tjera të bashkëpunimit që do të përcaktohen nga të dy institucionet.

Ky memorandum paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të bashkëpunimit institucional dhe përmirësimit të cilësisë së politikave sociale, demografike dhe rinore në vend.

By