Prishtinë, shkurt 2025 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare në hapësirat e Institutit Albanologjik në Prishtinë u zhvillua tryeza shkencore me temë boshte: “Përdorimi i shqipes në domenin publik”. Kjo tryezë u organizua në bashkëpunim mes dy institucioneve akademike Fakulteti i Shkencave Humane pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Instituti Albanologjik në Prishtinë, Dega e Gjuhësisë.
Në hapje të tryezës shkencore me fjalë rasti u paraqitën Abdurrahim Maxhuni, shef i degës së gjuhësisë, z. Naim Berisha, u.d. i drejtorit të Institutit Albanologjik, Mustafa Ibrahimi, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof.dr. Mustafa Ibrahimi dhe Ismet Osmani, shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Dekani i FSHH-së, Prof.dr. Mustafa Ibrahimi në fjalimin e tij të rastit midis tjerash foli edhe për historikun e 21 Shkurtit si ditë ndërkombëtare të gjuhës amtare. Ai theksoi se UNESCO-ja e caktoi këtë datë për shkak të demonstratave të studentëve të Bangladeshit të zhvilluara më 21 shkurt 1952 në Daka, kryeqytet i tanishëm i Bangladeshit, por atëherë pjesë e Pakistanit ku u vranë dhe u plagosën disa studentë. Që nga viti 1999 UNESCO-ja këtë datë e shpalli si Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, kurse në vitin 2007 e njëjta ditë është pranuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë tryezë me kumtesat e veta u paraqitën gjithsej 11 studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Midis tyre me kumtesa të tyre u paraqitën edhe dy studiuesit nga Fakulteti i Shkencave Humane pranë UNT-së, Prof.dr. Mustafa Ibrahimi me temën “Gjuha shqipe sot – identitete dhe ideologji” dhe Prof.dr. Izer Maksuti me temën “Rreth mohimit të përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut”.
Tryeza e konferencës u mbyll me shumë sukses dhe të gjitha kumtesat do të botohen në një përmbledhje të posaçme.