Më 26.03.2025 – Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup organizoi promovimin e rezultateve të projektit “Sustainable Bio-Climatic Revitalization of Abandoned Urban Spaces” (SBRAUS). Ky projekt synoi transformimin e hapësirave urbane të braktisura duke zbatuar parimet bioklimatike dhe të qëndrueshme, me fokus te Akuadukti i Shkupit si lokacion i zgjedhur. Gjatë ngjarjes u prezantuan dy publikime shkencore, projektet e studentëve të realizuara gjatë shkollës verore, si dhe një video dokumentar që pasqyron ecurinë dhe rezultatet e aktivitetit.
Ky projekt ndërkombëtar mbështetet nga Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë (Erasmus+ for Higher Education) dhe është një bashkëpunim i suksesshëm me disa nga fakultetet më të njohura të Evropës në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit: IUAV (Venedik, Itali), University of Maribor (Slloveni), Hochschule Anhalt (Dessau, Gjermani) dhe University of Thessaly (Volos, Greqi).
Organizatorët e këtij projekti ambicioz nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup janë: Prof. dr. Radmila Tomovska, Mr. Adelina Fejza, dhe Mr. Fjolla Pustina nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, së bashku me Ilir Idrizi dhe Arta Axhiu Ademi nga sektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UNT.
Në këtë promovim të arritjeve të projektit, fjalë rasti patën rektori në ardhje, njëherësh prorektor për Shkencë dhe Hulumtime në UNT, Prof. dr. Bekim Fetaji, si dhe dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Prof. dr. Zekirija Idrizi, të cilët potencuan rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe rivitalizimin e hapësirave të braktisura.
Prof. dr. Bekim Fetaji theksoi se projekti SBRAUS përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt aplikimit të metodave inovative bioklimatike, duke kontribuar në krijimin e hapësirave funksionale, ekologjike dhe të qëndrueshme. Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar në kuadër të Erasmus+ ka luajtur një rol kyç në suksesin e këtij projekti dhe do të vazhdojë të hapë mundësi të reja për kërkime dhe projekte të ngjashme në të ardhmen.
Nga ana tjetër, Prof. dr. Zekirija Idrizi, duke vlerësuar punën e bërë gjatë këtij projekti, theksoi se integrimi i qasjeve moderne në arkitekturë dhe ndërtimtari është thelbësor për zhvillimin urban të qëndrueshëm. Ai shprehu mirënjohjen për angazhimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Përmes këtij bashkëpunimi të suksesshëm dhe ekspertizës ndërkombëtare të fituar, duke përdorur praktikat më të mira evropiane në fushën e lartpërmendur, ne si institucion synojmë të kontribojmë në diskursin e qëndrueshëm urban përmes revitalizimit bioklimatik të qyteteve, ku hapësirat publike kualitative do të jenë thelbësore.