Shkup, 14.03.2025 – Në ambientet e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, sot u zhvillua një ligjëratë e hapur nga Akademik Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt me temë: “Pse studiojmë historinë shqiptare?” Ligjërata u ndoq nga studentë, stafi akademik, administrativ dhe mysafirë të shumtë e cila ligjëratë u moderua nga prorektori për Arsim në UNT, Prof. Inor. Dr. Fati Iseni.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, në emër të stafit të UNT-së, shprehu mirënjohjen e tij për praninë dhe kontributin e çmuar të Akademik Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, duke vlerësuar rëndësinë e diskutimit mbi historinë shqiptare dhe rolin e saj në kuptimin e identitetit dhe zhvillimit shoqëror.

Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, aktualisht është profesor në Universitetin e Vjenës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë, i cili në ligjëratën e tij theksoi se shumica e historianëve në botë ende fokusohen kryesisht në shoqëritë e tyre, ndërsa ata që studiojnë kultura të tjera shpesh përqendrohen te shtetet dhe shoqëritë e mëdha.

Ligjërata e Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt u strukturua në shtatë pika kryesore, ku Akademik Schmitt veçoi rëndësinë e studimit të historisë shqiptare si histori e folësve të gjuhës shqipe. Ai theksoi se, pavarësisht ndikimeve të jashtme nga perandoritë dhe fqinjët, shqipja ka ruajtur strukturën e saj thelbësore leksikore. “Ndonëse përgjatë mijëra viteve të kontaktit kulturor me Perandorinë Romake, Perandorinë Osmane, grupet migratore dhe fqinjët e saj, gjuha shqipe ka marrë elemente të huaja, ajo ka mbetur e paprekur në strukturën e saj thelbësore – dhe kjo përkundër faktit se nuk ka pasur një shtet shqiptar para vitit 1912,” u shpreh Akademik Schmitt.

Gjithashtu, ai theksoi se shqiptarët janë populli i vetëm me shumicë myslimane ku koncepti i kombit përfshinte edhe të krishterët që flisnin të njëjtën gjuhë si anëtarë të barabartë të kombit. “Kjo veçori është më e theksuar në Shqipërinë Perëndimore, ku diversiteti fetar ishte më i madh krahasuar me rajonet pothuajse homogjene myslimane të lindjes,” shtoi ai.

Ky aktivitet akademik shërbeu si një moment i rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht për studentët e UNT-së, duke ofruar një perspektivë të gjerë mbi rëndësinë e historisë dhe rolin e saj në promovimin e vlerave shkencore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

By