Shkup, 12.05.2026 – Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup morën pjesë në Forumin Ekonomik Maqedoni e Veriut – Shqipëri me temë “Përtej Kufijve”, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup.
Në këtë forum të rëndësishëm morën pjesë Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Shqipërisë, ambasadorë të vendeve të ndryshme, si dhe ministra e përfaqësues institucional nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Gjatë sesioneve u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit tregtar e diplomatik.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u përfaqësua nga dekania e Fakultetit Ekonomik, Prof. Inor. Dr. Bekurie Imeri Jusufi, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Prof. Inor. Dr. Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe kryetari i Kuvendit Studentor Universitar, Besar Sejdiu. Ata ishin të shoqëruar nga një grup studentësh të Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin nga afër diskutimet e nivelit të lartë, të shkëmbejnë ide me ekspertë të fushës dhe të njihen me perspektivat e reja të integrimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
