Varazhdin, Kroaci – 12.05.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe rektori i Universitetit “Obuda” nga Budapesti, Prof. Dr. Levente Kovacs, nënshkruan  Memorandum Mirëkuptimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtarizimin e institucioneve.

Marrëveshja përfshin inkuadrimin e UNT-së si partner organizator në konferencën ndërkombëtare të IEEE-së në Pulë të Kroacisë, e cila organizohet nga ata dhe partnerët e tyre. Gjithashtu, parashihet hapja e drejtimeve Master me diplomë të dyfishtë (Dual Degree), si dhe krijimi i grupeve të punës nëpër disa fakultete, që do të punojnë së bashku në projekte hulumtuese dhe në publikime.

Ky memorandum, i nënshkruar në Varazhdin të Kroacisë, shënon fillimin e një partneriteti strategjik që synon avancimin e proceseve arsimore dhe kërkimore-shkencore midis dy universiteteve.

Përmes këtij akti zyrtar, UNT dhe Universiteti “Obuda” janë pajtuar për të bashkëpunuar në disa pika kyçe, duke përfshirë, zhvillimin e programeve studimore dhe programeve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave shkencore dhe botimin e revistave akademike, realizimin e projekteve me interes të ndërsjellë për të dyja palët, shkëmbimin e aktiviteteve kërkimore midis stafit akademik dhe studentëve.

Rektori Fetaji, u shpreh se ky bashkëpunim me një nga universitetet prestigjioze të Hungarisë, i njohur për traditën e tij në shkencat teknike dhe inovacionin, do të hapë rrugë të reja për studentët dhe stafin e UNT-së drejt përvojave evropiane dhe projekteve të mëdha shkencore.

Gjatë kësaj marrëveshje rektori Fetaji u shoqërua nga prorektorja, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, Prof. Dr. Zoran Trifunov si dhe Prof. Inor. Dr. Vladimir Kitanovski.

Ky nënshkrim vjen si pjesë e vizionit të UNT-së për të krijuar një rrjet të gjerë partneritetesh me universitete elitare në rajon dhe Evropë, duke rritur cilësinë e kërkimit shkencor dhe duke promovuar lëvizshmërinë akademike. 

By