Shkup, 11.05.2026 – Fakulteti Juridik i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup organizoi sot me sukses ligjëratën tematike me mysafir folës prokurorin publik, z. Fatmir Musa, nga Prokuroria Themelore Publike Shkup. Ngjarja, e cila u mbajt në ambientet e universitetit, zgjoi interes të lartë tek studentët dhe stafi akademik.


Ligjërata u moderua nga Prorektori për Arsim i UNT-së, Prof. Dr. Fati Iseni, i cili vlerësoi lart rëndësinë e sjelljes së përvojave praktike nga sistemi gjyqësor direkt në auditoret e universitetit.


Gjatë këtij bashkëbisedimi, z. Fatmir Musa trajtoi temën: “Roli dhe funksionimi i Prokurorisë Publike në RMV”. Duke u bazuar në përvojën e tij të gjatë profesionale, ai shpjegoi për studentët, për mekanizmat e funksionimit të Prokurorisë brenda sistemit të drejtësisë, sfidat praktike të ndjekjes penale dhe luftës kundër korrupsionit dhe rëndësinë e integritetit profesional për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm.


Z. Musa, i njohur si një nga kandidatët më të suksesshëm të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” dhe me një përvojë të pasur ndërkombëtare në UNDP, ndau me studentët këshilla të vlefshme për rrugëtimin e tyre në profesionet ligjore.


Nën moderimin e prorektorit Iseni, studentët patën mundësinë të parashtronin pyetje dhe të diskutonin rreth rasteve konkrete, duke marrë përgjigje që lidhin teorinë e mësuar në lëndët juridike me realitetin e punës në terren.

By