Shkup, 14.05.2026 – Sot, në ambientet e kabinetit të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim zyrtar Zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh Ministër për Çështje Evropiane, Dr. Bekim Sali.

Në këtë takim, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga ekipi i prorektorëve të UNT-së: Prof. Dr. Sani Demiri, Prof. Dr. Fati Iseni, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela. Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri i parë, z. Bekim Sali, në këtë vizitë pune ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Driton Sulejmani, këshilltari z. Sahmedin Sali, si dhe z. Afan Elezi.

Gjatë bashkëbisedimit, palët diskutuan mbi mbarëvajtjen e procesit arsimor në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, sfidat e konsolidimit institucional dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes ekzekutivit dhe sferës akademike në funksion të integrimeve evropiane dhe ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë.

Rektori Fetaji falënderoi delegacionin qeveritar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj universitetit, duke theksuar se UNT mbetet vatër e rëndësishme e përgatitjes së kuadrove që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe proceset integruese.

Zëvendëskryeministri Sali dhe zëvendësministri Sulejmani shprehën gatishmërinë e tyre për të përkrahur projektet strategjike të universitetit, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve studimore dhe avancimin e kërkimit shkencor.

Pas takimit zyrtar, agjenda vazhdoi me një panel diskutimi të hapur, ku morën pjesë përfaqësuesit qeveritarë, stafi akademik dhe studentët. Gjatë këtij paneli u shkëmbyen mendime dhe ide konkrete mbi rolin e institucioneve arsimore në proceset integruese të vendit, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit mes sektorit publik dhe Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

By