Shkup, 11.08.2026 – Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup u zhvillua takimi i radhës i punës në kuadër të implementimit të Portalit Studentor dhe Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Studentëve.
Në takim morën pjesë rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, prodekani i Fakultetit të Shkencave Teknike, Doc. Dr. Arbnor Rushiti, si dhe përgjegjësi i Shërbimeve Studentore, Mr. Solidar Sulejmani.
Nga kompania A1, u përfaqësua nga z. Festim Kamberi, i cili prezantoi punën dhe progresin e arritur deri në këtë fazë në implementimin e sistemit.
Gjatë takimit u prezantuan funksionalitetet e zhvilluara deri më tani, proceset e implementuara, si dhe fazat e fundit të nevojshme për finalizimin dhe funksionalizimin e platformës. Nga ana a e Rektorit u sugjeruan disa funkcionalitete shtesë për pjesën studentëve. Gjithashtu përmirësime të procesve u propozuan edhe nga prorektori Fati Iseni si dhe disa tjera edhe nga përgjegjësi Mr. Solidar Sulejmani.
U konstatua se projekti ka avancuar ndjeshëm dhe tashmë ndodhet në fazën përfundimtare, me pjesën kryesore të sistemit të zhvilluar dhe të përgatitur për fazat e fundit të testimit dhe implementimit.
Portali Studentor dhe Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Studentëve përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit të UNT-së, duke synuar modernizimin e shërbimeve studentore, rritjen e efikasitetit administrativ dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta, transparente dhe të qasshme për studentët dhe stafin akademik.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vazhdon të avancojë procesin e transformimit digjital, me fokus në krijimin e një universiteti modern, efikas dhe të orientuar drejt nevojave të studentëve.
