Shkup, 23.07.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti sot në një takim zyrtar në kabinetin e tij të punës kryetarin e Kolegjit Universitar “Canadian Institute of Technology” (CIT) nga Tirana, Prof. Dr. Ramiz Zekaj.
Në fokus të këtij takimi vëllazëror dhe institucional ishte diskutimi mbi mundësitë e bashkëpunimit akademik, shkencor dhe teknologjik ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.
Gjatë takimit, dy krerët shkëmbyen mendime mbi, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe shkencave sociale, mundësitë për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet UNT-së dhe CIT-it, organizimin e konferencave ndërkombëtare dhe aktiviteteve akademike me interes të përbashkët.
Gjatë takimit u veçua me rëndësi të veçantë faktori historik se marrëveshja e parë zyrtare e bashkëpunimit ndërmjet CIT-it dhe UNT-së daton që nga periudha e udhëheqjes së rektorit të parë, Prof. Dr. Aziz Pollozhani. Kjo lidhje e hershme akademike shërben si një bazë e fortë për të rikonfirmuar dhe mbarëvajtur urat e bashkëpunimit institucional në vazhdimësi.
Rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji i shoqëruar nga Mr. Driton Zendeli, e falënderoi Prof. Dr. Ramiz Zekaj për vizitën zyrtare me synim për ngritjen e cilësisë arsimore dhe ofrimin e mundësive të reja për studentët.
Nga ana e tij, kryetari i CIT-it, Prof. Dr. Ramiz Zekaj, përgëzoi rektorin Fetaji për arritjet e UNT-së dhe vlerësoi lart përkushtimin e universitetit për zhvillim dhe avancim shkencor në rajon.
