Rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji mirëpriti diplomatin spanjoll dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik e integrimit evropian për studentët e UNT-së

Shkup, 26.10.2026 – Sot, në kabinetin e tij të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një vizitë zyrtare dhe takim pune Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Tij, Z. Rafael Soriano Ortiz.

Në këtë takim të rëndësishëm, rektori Fetaji u shoqërua nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Diturije Ismaili, prorektori për Financa, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, si dhe Mr. Ariton Rama ndërsa Sh.T. Z. Soriano Ortiz ishte nën shoqërimin e Znj. Venera Gudaci. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësimin e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimin e përvojave akademike dhe rëndësinë e integrimit evropian.

Pas takimit zyrtar, ambasadori Sh.T. Z. Rafael Soriano Ortiz mbajti një ligjëratë të hapur dhe informative para studentëve dhe stafit akademik të UNT-së, me fokus ngjarjen kushtuar shënimit të “40 VITEVE TË SPANJËS NË BASHKIMIN EVROPIAN: 40 TREGUESIT E PROGRESIT DHE LIRISË” (40 Years of Spain in the EU: 40 Indicators of Social Progress and Freedoms).

Gjatë prezantimit të tij, përmes të dhënave statistikore krahasuese, Ambasadori shtjelloi transformimin rrënjësor të Spanjës gjatë 4 dekadave në BE, duke veçuar arritjet kyçe: rritjen e jetëgjatësisë në 84 vjet dhe pjesëmarrjen e mbi 1 milion studentëve në programin Erasmus në fushën e zhvillimit njerëzor; dyfishimin e eksporteve dhe udhëheqjen me 57% të energjisë së ripërtëritshme në ekonomi; pozicionimin si vendi i dytë më i vizituar në botë me 97 milionë vizitorë dhe udhëheqjen në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë (AVE) e rezervat e UNESCO-s në fushën e lidhshmërisë; si dhe përparimet e dukshme në barazinë gjinore, demokraci dhe kujdesin shëndetësor.

Ligjërata zgjoi interesim te studentët e pranishëm po dhe stafi akademik, të cilët patën mundësinë të diskutojnë nga afër dhe të shtrojnë pyetje lidhur me sfidat e integrimit, arsimit të lartë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

By