Me qëllim të forcimit të kapaciteteve akademike, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, me datë 28-30 janar, organizoi seminar dy ditorë në qytetin e Strugës. Qëllimi kryesor i këtij seminari ishte përvetësimi i formave dhe metodave të reja të mësimdhënies po ashtu edhe zhvillimi dhe përshtatja e programeve studimore në këtë universitet. Ligjëruesit që prezentuan në këtë seminar ishin përfaqësues kompetent nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, profesorë universitar si dhe ekspert të fushave kompetente.

Në fjalimin e tij hapës, Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Prof.Dr Azis Pollozhani, theksoi se edhe pse ky universitet funksionon në semestrin e parë të fillim vitit të tij, përkrah angazhimit të pakursyer të pedagogëve, nevoja e hulumtimit dhe përqafimit të metodave të reja për mësimdhënie, studimi dhe zhvillimi i kurikulave në përputhje me trendet në tregun e punës dhe me interesin e studentëve, mbeten synime bazë të Universitetit “Nënë Tereza”.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Pishtar Lutfiu, mori pjesë në hapjen e seminarit, ku në fjalimin e tij mes tjerash theksoi: “Kam kënaqësinë që sot marr pjesë në hapjen e këtij seminari ku shpalosen metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe për të mbështetur stafin pedagogjik dhe zhvillimet e programeve studimore të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Universiteti është përkushtuar në promovimin e praktikave më të mira të mësimdhënies dhe arritjes së rezultateve më të suksesshme. Qëllimi i këtij seminari është trajnimi i stafit pedagogjik për përvetësimin dhe përparimin e formave dhe metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Një rëndësi e veçant do t’i kushtohet edhe zhvillimit dhe përshtatjes së programeve studimore në këtë universitet.”

Në ditën e parë të këtij seminari, Prof. Dr. Bashkim Ziberi prezentoi para të pranishmëve “Kornizën normative të procesit të akredimit”. I ftuar si në semiar ishte edhe Prof. Dr. Murtezan Ismaili i cili elaboroi temën e “Zhvillimit të kurrikulës universitare”. Udhëheqësi i sektorit për arsim të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Agim Rushiti foli për “Procesin e modularizimit të programeve studimore”. Ndërsa Doc. Dr. Agron Kurtishi shtjelloi temën “Observimi dhe evaluimi si elemente të zhvillimit të cilësisë në universitet”.

Në kuadër të këtij seminari u zhvillua edhe një workshop me temë: “Teknologjia Informative – mjet efikas i komunikimit në universitet”, që u udhëhoq nga Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe Mr. Fisnik Doko.

Dita e dytë e seminarit iu kushtua prezentimit të temave që kanë të bëjnë me metodat e reja mësimdhënëse, format e  avansuara të prezentimit si dhe puna në ekip. Prezentues ishte Alek Karaev, ekspert i mirënjohur i kësaj lëmie. Në fund u prezentua edhe plani për promovimin e Universitetit “Nënë Tereza” nga Prof. Dr. Agim Mahmuti.

Kuadri akademik dhe stafi i Universitetit “Nënë Tereza” treguan interes të lartë gjatë seminarit dhe u ndanë të kënaqur nga ky organizim. Në fjalën përmbyllëse, Rektori Pollozhani i falenderoi prezentuesit dhe të pranishmit për kontributin e tyre në organizimin e këtij seminari, duke premtuar se ky event do të shndërrohet në traditë dhe do të organizohet në bazë vjetore.

Albumin e plotë të fotografive mund ta gjeni në linkun në vazhdim:
Universiteti “Nënë Tereza” organizoi seminar për konsolodimin dhe përforcimin akademik

By