Sot në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” qëndroi në vizitë pune një grup profesorësh eminent nga Turqia. Në fillim delegacioni i lartë u njoftua për misionin dhe vizionin e Universitetit të sapoformuar si dhe punët dhe aktivitetet në vijim nga ana e Rektorit.
Te dy palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjellë për çështjet me interes të përbashkët përfshirë vizita dhe ndërrime përvojash. Më pas delegacioni vizitoi galerinë “Omer Kaleshi” pranë këtij Universiteti ku fjalë rasti për figurën eminente te këtij artisti mbajti akademiku Luan Starova.
Ai potencoi faktin se: “Omer Kaleshi nëpërmjet figurës se tij bën lidhje mes lindjes dhe perëndimit , i lindur në Maqedoni , i shkolluar në Stamboll dhe duke vepruar si artist në Paris ai gjithmonë ka gjetur mundësi që shpirtin e përbashkët ta shpreh nëpërmjet pikturës.”
Më pas, para këtij auditori të respektuar profesorësh u prezantua Akademik Luan Starova, i cili kënaqi kërshërinë e dëgjuesve me përshkrimin e rrugëtimit të tij si shkrimtar dhe dimensionin universal te SAGËS ballkanike që është strumbullari i të gjitha veprave të tij.
Fjalë miradije për veprën dhe figurën e Luan Starovës shprehu zoti Sabri Hemdil, përndryshe i lindur në Ohër, i cili ngriti lartë veprimtarinë artistike të tij si urë lidhëse ndërmjet popujve në Ballkan dhe rajon.
Ky aktivitet sado spontan, ishte një freski e re për rrjedhat në Universitetin “Nënë Tereza”, praktikë të cilën Universiteti do ta ndjek edhe në vazhdim.